Prishtinë,
03/04/2026
Sipas ministres, informatat janë transparente për të gjithë qytetarët, duke shtuar se janë ndërmarrë masa të qarta edhe për adresimin e çdo shkeljeje eventuale në raport me tregun.
Ajo ka deklaruar se Vendimi i datës 4 mars, i cili skadon më 4 prill, për përcaktimin e marzhës së fitimit për bizneset, si në shumicë ashtu edhe në pakicë, ka qenë një ndërhyrje e domosdoshme dhe e targetuar.
Gjithashtu, ajo ka thënë se ky është vendimi i parë i këtij lloji në rajon për masa të përkohshme në çmime, me qëllim ndalimin e rritjeve enorme në situata krizash globale.
Ministrja ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë realizuar rreth 200 inspektime, në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Autoritetit të Konkurrencës dhe Administratës Tatimore të Kosovës dhe nga këto inspektime janë konstatuar 4 shkelje nga operatorë ekonomikë, për të cilat janë shqiptuar masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërkaq, sa i përket furnizimit me derivate, ajo ka deklaruar se nga muaji janar deri në mars kemi pasur stabilitet të plotë, edhe përkundër rritjes së çmimeve, nuk është vërejtur rënie e ndjeshme e sasisë së furnizimit.
Ministrja ka theksuar se nuk kemi krizë të furnizimit me derivate në Republikën e Kosovës.
Gjatë diskutimit, ministrja Kusari-Lila ka potencuar edhe njëherë se angazhimi i saj dhe i institucioneve mbeten të pandryshuar: treg i drejtë, mbrojtje e konsumatorit dhe reagim i shpejtë në çdo situatë, që cenon interesin publik.