Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), dhe Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev), kanë lansuar skemën e granteve për inovacion në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), me një buxhet të përgjithshëm prej 1 milion e 160 mijë eurosh. Në të njëjtën ngjarje u shpall edhe faza e re e Skemës së Granteve për Energji të Pastër, në kuadër të projektit për tranzicionin energjetik dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë.
Në prezantimin e skemës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se përmes këtyre programeve synohet mbështetja e zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe tranzicionit të gjelbër, duke krijuar mundësi të reja për bizneset kosovare.
Skema për inovacion në sektorin e TIK-ut synon të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe bizneset start-up, në zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative. Buxheti prej 1.16 milionë eurosh përbëhet nga 600 mijë euro të ndara nga MINTI dhe 560 mijë euro nga LuxDev. Nga kjo shumë, 760 mijë euro janë të dedikuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ndërsa 400 mijë euro për bizneset start-up.
Sipas ministres, projektet që do të financohen duhet të ofrojnë zgjidhje inovative në fusha si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, blockchain, analiza e të dhënave, automatizimi i proceseve, zhvillimi i aplikacioneve softuerike, platformat e bashkëpunimit online, sistemet e menaxhimit të biznesit dhe teknologji të tjera moderne.
Ajo bëri të ditur se për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme granti do të mbulojë deri në 50 për qind të kostos së projektit, me financim nga 30 mijë deri në 50 mijë euro, ndërsa për bizneset start-up do të mbulojë deri në 80 për qind të kostos, me mbështetje prej 15 mijë deri në 25 mijë euro.
Ministrja Kusari-Lila njoftoi se aplikimi do të realizohet ekskluzivisht përmes platformës e-Kosova, ndërsa përfituesit do të financohen në dy këste, me 80 për qind të grantit pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe 20 për qind pas përfundimit me sukses të projektit.
Duke folur për Skemën e Grantit për Energji të Pastër, ministrja theksoi se ajo synon të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të investojnë në sisteme fotovoltaike për vetëkonsum dhe masa për rritjen e efiçiencës së energjisë, me qëllim uljen e kostove energjetike, rritjen e konkurrueshmërisë dhe mbështetjen e tranzicionit të gjelbër të ekonomisë.
Ajo rikujtoi se gjatë vitit 2026 MINTI ka vazhduar zbatimin e një sërë programesh strategjike për zhvillimin ekonomik. Në kuadër të Skemës për Energji të Pastër janë përzgjedhur tashmë nëntë kompani përfituese, ndërsa në dy fazat e programit planifikohet të mbështeten së paku 40 biznese me një buxhet prej 1 milion eurosh.
Po ashtu, ministrja përmendi edhe skemat e tjera mbështetëse që janë në zbatim gjatë këtij viti, përfshirë Skemën për Arsim Dual me fond prej 1 milion eurosh, mbështetjen për 23 kompani në industrinë kreative, skemën prej 5 milionë eurosh për blerjen e makinerive të avancuara, subvencionimin e bizneseve në pronësi të grave me buxhet prej 200 mijë eurosh, grantet prej 600 mijë eurosh për certifikimin ndërkombëtar të produkteve, si dhe Iniciativën për Fuqizim Digjital.
Në përmbyllje, ministrja Kusari-Lila theksoi se skema e re për inovacion paraqet një mundësi të rëndësishme për bizneset e sektorit të teknologjisë që të zhvillojnë produkte dhe shërbime me vlerë të shtuar, të rrisin konkurrueshmërinë, të krijojnë vende të reja pune dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik e digjital të Republikës së Kosovës.