Mbahet mbledhja e dytë e Grupit Punues për Çështje Tregtare dhe Adresimin e Barrierave Tregtare

Sot, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u mbajt mbledhja e dytë e Grupit Punues për Çështje Tregtare dhe Adresimin e Barrierave Tregtare, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës. Takimin e kryesoi këshilltari i lartë i Ministres së MTI-së, Ilir Salihu, i cili theksoi se suksesi i punës së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik do të varet shumë nga suksesi i punës së grupeve punuese të tij.

Departamentit të Tregtisë i MTI-së ka prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e raportit që analizon problemet me importin e qumështit, ku përfshinë konkretisht analizimin e të dhënave statistikore të importit, të dhënave të grumbulluara përmes Ministrisë se Punëve të Jashtme për disa vende në BE dhe rajon, të dhënave të grumbulluara nga vet Departamenti i Tregtisë nga vizitat në qendrat e mëdha tregtare të shitjes, vizitat dhe takimet me importuesit kryesor të këtyre produkteve, vizitat dhe takimet me prodhuesit vendor të qumështit.

Argumentet e dhëna në raport u diskutuan nga pjesëmarrësit dhe grupi u pajtua që të bëhet verifikimi përfundimtar i të dhënave para se të vendoset për fillimin e ndonjë procedure formale për masa anti-damping ndaj produkteve për të cilat do të ketë dëshmi të mjaftueshme që janë të dampuara.

Po ashtu, grupi rekomandoi që të intensifikohet kontrolli nga Inspektorati i Tregut i MTI-së në qendrat tregtare në mënyrë që të sigurohet ndarja e qartë e produkteve me prejardhje me origjinë bimore nga ato me origjinë shtazore. Të gjeturat e raportit u plotësuan edhe me sugjerime dhe rekomandime shtesë nga anëtarët e grupit punues dhe ato do t’i prezantohen Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Grupi po ashtu diskutoi një varg çështjesh të cilat kanë të bëjnë me eliminimin e të gjitha barrierave tregtare, qofshin ato barriera jo-tarifore apo teknike, doganore apo administrative, me vendet e ndryshme me të cilat kemi shkëmbim tregtar, me theks të veçantë barrierat e fundit të adresuara tanimë tek autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Nga shoqatat e bizneseve u kërkua që menjëherë pasi të pranojnë ankesat nga bizneset, t’i paraqesin ato tek Departamenti i Tregtisë i MTI-së, me qëllim të adresimit të tyre sa më të shpejtë qoftë në rrugë bilaterale apo përmes mekanizmit të CEFTA-s.

Gjithashtu, pjesëmarrësit u informuan edhe për rrjedhën e negociatave për Tregtinë e shërbimeve që Kosova është duke i negociuar me vendet e CEFTA-së, si dhe të arriturat e deri tanishme në këtë fushë.

Mbledhja e radhës e Grupit Punues për Çështje Tregtare dhe Adresimin e Barrierave Tregtare, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik do të mbahet më 23 shtator 2015.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors