Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), së bashku me përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Agjencisë së Luksemburgut për Bashkëpunim dhe Zhvillim (LuxDev), mbajtën sot sesionin informues me përfaqësues të bizneseve lidhur me Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza 2.
Sesioni u hap me një fjalë hyrëse nga Valmira Sejdiu, U.d. Drejtore e Përgjithshme e KIESA-s, e cila njoftoi të pranishmit me rëndësinë e kësaj skeme, si një mundësi konkrete për mbështetjen e bizneseve në investimet për energji të pastër, rritjen e efiçiencës energjetike dhe uljen e kostove operative.
Gjatë sesionit përfaqësuesit e KIESA-s, Ministrisë së Ekonomisë dhe LuxDev-it, prezantuan në mënyrë të detajuar procesin e aplikimit, duke përfshirë procedurat, kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacionin e kërkuar për përfitim nga kjo skemë.
Pjesëmarrësit morën sqarime për të gjitha çështjet me interes që lidhen me thirrjen publike dhe procesin e aplikimit.
Skema është zhvilluar në kuadër të marrëveshjes ndërmjet MINT/KIESA-s, Ministrisë së Ekonomisë dhe LuxDev-it, dhe financohet nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 27 korrik 2026, përmes platformës eKosova.