Mbahet takimi i Grupit Punues për përmirësimin e klimës së biznesit, investime publike dhe investime në infrastrukturën e cilësisë

Sot, në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë, u mbajt mbledhja e parë e Grupit Punues për përmirësimin e klimës së biznesit, investime publike dhe investime në infrastrukturën e cilësisë, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës.

Në fjalën hyrëse, ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, njëherësh edhe kryesuese e këtij grupi, theksoi se ne duhet të krijojmë mundësi konkrete për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të mundësuar lehtësira për investime të jashtme. “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, janë duke punuar me volumin më të ngjeshur për të përmirësuar gjendjen aktuale të zhvillimit të biznesit në Kosovë, dhe në zhvillimin e gjithmbarshëm të ekonomisë së vendit”, theksoi ministrja Bajrami.

Ajo kërkoi konkretisht që të trajtohen temat që preokupojnë biznesin dhe nismat që duhet të ndërmerren nga institucionet për të lehtësuar biznesin dhe për të krijuar një klimë të favorshme për investime.

Ministrja Bajrami, po ashtu, tha se nismat që janë duke u ndërmarrë nga MTI-ja  dhe institucionet e Kosovës, do të ndikojnë pozitivisht në klimën e gjithmbarshme  ekonomike të Kosovës, në të ardhmen.

Në takim u diskutuan temat me rëndësi për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë, dhe për krijimin e lehtësirave dhe eliminimin e barrierave në biznes, si: sistemi i mbikëqyrjes së tregut (inspektorati) në Kosovë, unifikimi i numrit identifikues të biznesit, formimi i grupeve bashkëpunuese, si: Grupi për Aktin e Biznesit të Vogël dhe Grupi për Raportin e të Bërit Biznes i Bankës Botërore.

Si konkluzione nga takimi dolën se duhet të bëhet harmonizimi dhe koordinimi i institucioneve të inspektimit për të lehtësuar inspektimin e bizneseve; Ligji për Shoqëritë Tregtare dhe Ligji për Administratën Tatimore të Kosovës, që janë në proces të plotësim/ndryshimit të tyre, të bëhen në frymën e krijimit të bazës ligjore për unifikimin e numrit identifikues të biznesit.

Palët pjesëmarrëse u zotuan për përkushtim në përmirësimin e ambientit të biznesit në Kosovë.

Takimi i radhës i Grupit Punues u caktua për datën 20 gusht 2015

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors