Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi po marrin pjesë në panairin ndërkombetar të industrisë së ushqimit në “Sial Paris”, që është organizuar me rastin e ditës botërore të ushqimit.
Panairi ka rreth 7000 ekspozues dhe pritet të ketë rreth 160,000 vizitorë nga 105 vende të botës. Në këtë panair po marrin pjesë shtatë kompani kosovare: “ABI&ELIF 19” kompani kjo e cila paraqitet në panair me produkte bujqësore të konzervuara; “FRUTEX” pije energjike; “AMO” ëmbëlsira dhe konditori; “BIBITA” ujë aromatizues dhe pije energjike; “FUNGO” fruta mali dhe kërpudha; “FRUTOMANIA” lëngje frutash dhe“SOLE Kosova” që paraqitet në panair me produkte bujqësore të konzervuara. Pjesëmarrja e këtyre kompanive në këtë panair u mundësua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe PPSE- Swiscontact. Ministrat Bajrami dhe Krasniqi, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar të Francës, z. Jean-Marc Ayrault dhe Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Pylltarisë z. Stephane Le Foll, do të marrin pjesë gjithashtu edhe në forumin “Ushqimi ynë për nesër” forum ky që bashkon ministra, ambasadorë dhe ekspertë nga e gjithë bota. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e përkushtuar që t’i mbështesë ndërmarrjet kosovare në promovimin e produkteve të tyre dhe në të njejtën kohë në promovimin e vendit si lokacion me shumë potencial për investime.
