Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u nënshkrua Marrëveshja për të mbështetur financiarisht komunën e Istogut për ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit, në mes të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe nënkryetarit të Komunës së Istogut z. Lulzim Blakaj.
Ministrja Bajrami, me këtë rast, ritheksoi prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë të cilën e drejton, për mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe shprehu besimin se me këto mjete do të përfundon projekti i Inkubatorit të Biznesit në Istog.
Në këtë kuadër, ajo bëri të ditur se do të ketë përkrahje të vazhdueshme për komunat me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës për biznesin privat por që do të inkurajoj më shumë edhe investime të huaja në Kosovë.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Istogut z. Lulzim Blakaj, theksoi se kjo marrëveshje do të mundësojë kompletimin e infrastrukturës së Inkubatorit të Biznesit.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është pajtuar për bashkëfinancim të projektit në fjalë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes infrastrukturore për ushtrimin e veprimtarive biznesore, e cila do të financoj këtë projekt me 40,000.00 euro për ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit. Ky është vazhdim i projektit të mëparshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i cili ka ndihmuar komunën e Istogut për ndërtimin e infrastrukturës së Inkubatorit të Biznesit në vlerë prej 30,000.00 euro.