Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), së bashku me projektin e USAID-it “Partneritetet për Zhvillim” dhe Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), kanë mbajtur sot punëtorinë mbi implementimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) në MTI.
Në fjalën hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i MTI-së, Rexhep Bllaca, foli për rëndësinë e zbatimit të BPGJ-së dhe qëllimin që planifikimi dhe ekzekutimi i buxhetit të bëhet në mënyrën më efektive, transparente dhe të barabartë. “Ligji për Barazi Gjinore parasheh që të gjitha politikat, legjislacioni dhe planifikimi buxhetor të marrin parasysh barazinë gjinore dhe parasheh masa të veçanta për fuqizimin ekonomik dhe hapat për të përmirësuar pozitën e femrave apo meshkujve në fushën e punësimit, në arsim, në shëndetësi, kulturë dhe shpërndarjen ose rishpërndarjen e burimeve” tha z. Bllaca. Nder tjera theksoi se është e rëndësishme për shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe MTI-në që të reflektoje një shoqëri me vlera të larta demokratike dhe universale dhe te bazuar ne drejtësi dhe standarde ndërkombëtare. Ndërsa, përfaqësuesja e Bordit te RrGGK, Ariana Qosaj-Mustafa, tha se kjo punëtori është vetëm një fillim i bashkëpunimit në mes MTI-së dhe RrGGK-së i cili do të vazhdojë gjatë tërë vitit. “RrGGK do të sigurojë mbështetje teknike për Ministrinë për të ndihmuar që të realizojë përgjegjësinë e saj ligjore për institucionalizimin e BPGJ”, u shpreh ajo. Gjate punëtorisë, u prezantuan shembuj si dhe praktika të vendeve të ndryshme lidhur me implementimin e BPGJ-së si dhe zbatimin e saj në departamentet brenda MTI-së. Në fund të punëtorisë Sekretari i përgjithshme, falënderoj USAID-in dhe Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës që përzgjodhi MTI-në si pilot projekt për realizimin e BPGJ-së edhe një herë shprehu gatishmërinë e MTI-së në implementimin e saj.