Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në vazhdën e aktiviteteve për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë, ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ nr. 03/2015, për përcaktimin e taksave për shërbimet e ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, ku janë ndërmarrë lehtësira të theksuara në zvogëlimin dhe eliminimin e shumicës së taksave dhe pagesave për shërbimet e ofruara nga ky institucion shtetëror.
MTI-ja dëshiron t’i njoftojë të gjitha subjektet dhe personat afaristë për ndryshimet e reflektuara me këtë Udhëzim Administrativ, të cilat janë si më poshtë:
Ndryshimet e taksave për Shoqëritë aksionare, Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, Shoqëritë komandite, Shoqëritë e huaja tregtare dhe Kooperativat bujqësore:
1. Ndryshimet në statut ose memorandum (harmonizim) ……. nga 20.00€ në 10.00€;
2. Kërkesat për shuarje të biznesit ………………………………… nga 10.00€ në 0.00€;
3. Regjistrimi i mëvonshëm i Njësisë punuese ……………………. nga 20.00€ në 10.00€;
4. Regjistrimi dhe rezervimi i emrit të biznesit …………………… nga 10.00€ në 0.00€;
5. Regjistrimi ose ripërtëritja e emrit tregtar………………………. nga 10.00€ në 0.00€;
6. Bartja e emrit tregtar ………………………………………………. nga 10.00€ në 0.00€;
7. Ndryshimet në Bordin Drejtues ……………………………….. nga 20.00€ në 0.00€;
8. Ndryshimet në Zyrën e Regjistruar ………………………………. nga 20.00€ në 0.00€;
9. Vërtetimi i kopjes si kopje autentike për faqe ………………… nga 2.00€ në 1.00€;
10. Dorëzimi i informatave detale për bizneset për faqe……….. nga 0.50€ në 0.30€.
Ndryshimet e taksave për bizneset individuale dhe ortakëritë e përgjithshme:
1. Kërkesa për shuarje…………………………………………………. nga 5.00€ në 0.00€;
2. Ndryshimet dhe plotësimet në të dhënat e regjistrimit……….. nga 5.00€ në 0.00€;
3. Vërtetimi i kopjes si kopje autentike për faqe………………….. nga 2.00€ në 1.00€;
4. Dorëzimi i informatave detale për biznesin për faqe………….. nga 0.50€ në 0.30€;
MTI-ja ka marrë këtë vendim me qëllim të përmirësimit të klimës së biznesit në Kosovë dhe lehtësimit të regjistrimit, ndryshimeve statusore dhe kundër shuarjes së aktiviteteve të subjekteve afariste në Kosovë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në vazhdimësi mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë aktivitete substanciale për lehtësimin e ambientit të të bërit biznes dhe për përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë.