Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të udhëhequr nga Holger Muent, drejtor për Ballkanin Perëndimor dhe Elena Petrovska, drejtoreshë e zyrës së BERZH-it për Kosovë.
Në takim u diskutua rreth identifikimit të fushave në të cilat MTI dhe BERZH do të vazhdojnë bashkëpunimin në funksion të përmirësimit të ambientit të biznesit, qasjes në financa për ndërmarrjet dhe nxitjen e investimeve në Republikën e Kosovës.
Ministrja Bajrami, theksoi rëndësinë e projekteve të udhëhequra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si: krijimi i Zonave Ekonomike, të cilat ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe tërheqjen e investimeve të reja; certifikimi i produkteve me standarde të cilësisë si një projekt i rëndësishëm i cili iu mundëson prodhuesve vendorë të jenë më konkurrentë në tregjet ndërkombëtare, sidomos tash pas mundësive që ofrohen përmes MSA-së, etj.
Gjithashtu, ajo informoi bashkëbiseduesit edhe për potencialin e zhvillimit të turizmit kosovar përmes projekteve të ndryshme në të cilat BERZH-i mund të ndihmojë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e BERZH-it falënderuan Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për bashkëpunim dhe shprehën interesimin e tyre për të mbështetur MTI-në në financimin e projekteve kapitale të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.