Në kuadër të Sallonit të së Martës, organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (IDZ), ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Bajrami, mbajti një fjalim në të cilin shpjegoi politikat qeveritare të cilat synojnë përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe krijimin e vendeve të punës.
Duke ҫmuar organizimin e këtij diskutimi, Ministrja theksoi se angazhimet rreth zhvillimit ekonomik, rritjes së punësimit dhe demokratizimit të vendit, nuk janë ekskluzivitet i institucioneve shtetërore por i të gjitha kategorive përfaqësuese të shoqërisë. Ajo shtoi se zhvillimi ekonomik duhet të jetë agjendë e përhershme e qeverisë dhe i të gjitha grupeve tjera përfaqësuese, si: komuniteti i biznesit, shoqëria civile dhe institucionet akademike, sepse, ndërveprimi i mirë i këtyre grupeve ka ndikim të drejtpërdrejt në krijimin e rrethinës së favorshme të të bërit biznes, pa të cilin parakusht, tërheqja e IHD-ve dhe hapja e vendeve të punës është e vështirë, tha ministrja.
Më tej, znj. Bajrami nënvizoi se Qeveria po punon me intenzitet të lartë në ҫuarjen përpara të reformave që kanë të bëjnë me nxitjen e aktiviteteve ekonomike dhe rritjen e fluksit të investimeve të huaja direkte. Kur, jemi tek papunësia, ministrja tha se “Kosova posedon një resurs të madh, që është rinia e vendit, e cila është e talentuar dhe me shkathësi të larta në shumë fusha, dhe për këtë arsye duhet të punojmë pa ndërprerë, së bashku me të gjitha kategoritë shoqërore, përfshirë edhe shoqërinë civile, që ky potencial të mos mbetet një resurs i fjetur por të shndërrohet në një potencial tërheqës për kompanitë ndërkombëtare që ato ta shtrijnë aktivitetin e tyre investues në Kosovë.”
Qeveria e Kosovës, theksoi ministrja, gjatë vitit që lamë pas, ka ndërmarrë një varg reformash dhe aktivitetesh institucionale të cilat qëllim të vetëm kanë nxitjen e rritjes ekonomike. Dhe në këtë mes, janë hartuar edhe programe të cilat u dedikohen fuqizimit të rinisë dhe nxitjes së tyre për t’u marrë me biznes.
Znj. Bajrami shtoi se janë shënuar një varg rezultatesh sa i përket përmirësimit të klimës së të bërit biznes në vend, me ҫ’rast përmendi një numër sosh, sikurse: përmirësimi i infrastrukturës fizike, i infrastrukturës ligjore dhe i infrastrukturës së cilësisë, mënjanimi i barrierave administrative, krijimi i incentivave fiskale (uljes së taksave), liberalizimi i importit për të nxitur aktivitetin prodhues, etj.
Ajo shtoi se “viti 2015 ka shënuar një trend pozitiv sa i përket investimeve të huaja direkte, ku sipas BQK-së, gjatë periudhës janar – tetor janë investuar mbi 300 milionë €, që paraqet një rritje të konsiderueshme krahasuar me 3 vitet e fundit 2012-2014.”
Ministrja Bajrami rikonfirmoi zotimin e saj se Qeveria e vendit do të vazhdojë të punojë me përkushtim në krijimin e kushteve sa më të favorshme për bizneset në Kosovë si dhe për kompanitë e huaja që vijnë nga jashtë, duke qenë e vetëdishme se kjo është rruga e duhur për krijimin e një ekonomie të shëndoshë e cila do të absorbonte numër të madh të punësuarish dhe do të rriste mirëqenien e qytetarëve.