Në panairin “Projektet strategjike zhvillimore dhe modelet e reja të financimeve në tregun e përbashkët Shqipëri-Kosovë”, ministrja Hykmete Bajrami mbajti një fjalë rasti në panelin me temë “Sigurimi dhe mbrojtja e investimeve të jashtme përfshirë investimet nga diaspora”. Ajo e nisi fjalën e saj duke shprehur këqësinë që shumica e bizneseve që ekspozojnë në panairin e sotëm kanë filluar biznesin e tyre duke importuar në Kosovë produkte të kompanive të huaja, ndërsa tani kanë arritur që këto produkte t’i prodhojnë në Kosovë.
Më duhet të them se është privilegj i gjeneratë sonë që na është krijuar mundësia të diskutojmë lirshëm për të ardhmen e vendeve tona; për orientimet dhe projektet strategjike e zhvillimore dhe për integrimin e vendeve tona në mekanizmat rajonal e ndërkombëtar. Por, çdo privilegj kërkon përgjegjësi. Prandaj, ne si përfaqësues institucional vazhdoj ministrja, kemi përgjegjësinë që të marrim vendime të duhura që thellojnë dhe nuk pengojnë shkëmbimin ekonomik e tregtar në mes të dy vendeve tona, që ndërtojnë dhe nuk dëmtojnë bashkëpunimet në mes të bizneve tona dhe që shtojnë dhe nuk e zvogëlojnë vlerën e burimeve tona natyrore e kombëtare.
Në takimet e përbashkëta mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë është arritur Marrëveshja për Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë si dhe është nënshkruar marrëveshja e protokolit të bashkëpunimit. Në takimet e fundit që kemi pasur ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë me Ministrine e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në Tiranë, kemi diskutuar çështjet e fokusuara kryesisht në Marrëveshjen Kuadër, të nënshkruar në mars të këtij viti, siç janë: unifikimi i praktikave doganore (lehtësimi i procedurave për pajisjen e bizneseve me leje eksport/importi), njohja e certifikatës së origjinës së produkteve, vulave të cilësisë, çmimeve të referencës në mbrojtje të konkurrencës në treg, si dhe njehsimi në fushën e akreditimit, standardizimit dhe metrologjisë. Këto marrëveshje kanë për qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjeve që i sfidojnë bizneset gjatë tregtimit të produkteve të tyre në tregjet përkatëse.
Ministrja Bajrami shtoi se ambienti i biznesit po përmirësohet në vazhdimësi dhe së shpejti pritet edhe aprovimi i pakos së re fiskale e cila do ta lehtësojë edhe më tej zhvillimin e biznesit në Kosovë, duke mundësuar që lënda e parë që nuk prodhohet në Kosovë dhe makineritë për prodhim të lirohen nga taksa doganore dhe nga TVSH-ja.
Riaktivizimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik do të lehtësojë koordinimin ndërinstitucional dhe publiko-privat dhe do të jetë një mekanizëm për adresimin e barrierave dhe sfidave të ndryshme me të cilat ballafaqohen bizneset.
Ky takim i përbashkët dhe takime të tjera të kësaj natyre, janë një investim në rrugëtimin tonë të përbashkët për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomive tona dhe integrimeve rajonale dhe ndërkombëtare.