Në diskutimin e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, bëri të ditur se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka për qëllim të adresojë një nga barrierat kryesore të biznesit, siç është qasja e kufizuar në financa, me qëllim të përmirësimit të ambientit të biznesit në Kosovë. “Qëllimi është që të rritet mundësia e financimit për kategori të caktuara të bizneseve që e kanë pasur të vështirë të marrin financim nga bankat. Është fjala për bizneset e grave, të fermerëve, të prodhuesve vendorë dhe të ndërmarrësve, që dëshirojnë të fillojnë një biznes apo të zgjerojnë një biznes ekzistues”, theksoi ministrja Bajrami.
Ajo, po ashtu, bëri të ditur se Fondi do të mbulojë deri në 50 për qind të kolateralit, dhe kjo do t’i bëjë bankat më komode në aprovimin e kredive për bizneset të cilat e kanë të pamundur garantimin e kërkesave kreditore me asetet vetjake, ku kjo përqindje mund të rishikohet pas një periudhe të caktuar kohore, varësisht nga gjendja financiare e Fondit.
Ministrja Bajrami, gjithashtu, i njoftoi të pranishmit se si koncept-dokumenti ashtu edhe draft-ligji për Fondin i janë nënshtruar një konsultimi të gjerë publik dhe janë inkorporuar komentet dhe sugjerimet të cilat e kanë plotësuar idenë fillestare. “Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të jetë një institucion i pavarur, autonom, i cili do të funksionojë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë e plotë në bazë të ligjit për qeverisje korporative, kontabilitetin, auditimin dhe raportimin dhe se në këtë aspekt ai është paksa analog me fondin për sigurimin e depozitave, i cili është duke funksionuar mjaft mirë”, theksoi ajo.
Sipas të dhënave që i prezantoi ministrja Bajrami, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore kapitalin fillestar do ta përfitojë nga donatorët. Kontribuesit kryesorë të Fondit, përveç financimit nga buxheti i Kosovës, do të jenë: USAID, KFW, ADA, SDC, të cilët janë zotuar se do të derdhin në këtë Fond rreth 18 milionë euro.
Fondi llogaritet që diku në gjashtë vjetët e parë do ta rrisë mundësinë për kredi të reja, në rreth 360 milionë euro, dhe pritet që nga huatë e reja të mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune.
Në këtë panel diskutimi, gjithashtu u prezantuan edhe analizat e Institutit GAP rreth Fondit, ku analizat e tyre i kanë bazuar nga intervistimi i përfaqësuesve të bankave; BEZHR-së; MTI-së; USAID-it; publikimeve online të Autoritetit për Zhvillim Kreditor dhe fondeve garantuese të vendeve të tjera.