Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në debatin e organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare (OEGJK), në bashkëpunim edhe me fondacionin gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), rreth implementimit të Pakos së re fiskale, me temë: “Implementimi i Pakos së re fiskale, – efektet një muaj pas”.
Në fjalën e saj, ministrja Hykmete Bajrami tha se i inkurajoj bizneset që të mos t’i ndalin asnjëherë kërkesat ndaj institucioneve, sepse kërkesat tuaja na angazhojnë dhe na bëjnë që të angazhohemi në përmirësimin e politikave. Ajo tha: “Çështja e kërkesave dhe barrierave të bizneseve tashmë po adresohen në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, në të cilin janë formuar katër grupe punuese për t’i shqyrtuar të gjitha kërkesat që adresohen nga bizneset”, theksoi ministrja Bajrami.
Ajo deklaroi se është duke u punuar mjaft në përmirësimin e ambientit të biznesit, duke ndërmarrë veprime konkrete në zvogëlimin e procedurave administrative, uljen e taksave të bizneseve dhe përmirësim në infrastrukturën e zhvillimit të biznesit në përgjithësi, si dhe implementimin e politikave të reja fiskale. “Është evidente, që për herë të parë, prodhuesit kosovarë janë të barabartë me tregtarët, ku është krijuar mundësia që bizneset prodhuese të jenë konkurrentë, për shkak se janë ndërmarrë politika në lehtësimin dhe zhvillimin e bizneseve në Kosovë”, citoi Bajrami.
Ajo po ashtu bëri të ditur se janë të papranueshme dhe të parealizueshme kërkesat për bllokada, mbyllje të kufijve apo refuzim të produkteve të huaja, për shkak se jemi në një ekonomi të hapur. Po ashtu, ajo pohoi se ka vullnet politik për ta luftuar korrupsionin, për të bërë fiskalizim të plotë të bizneseve, për të krijuar kushte për një konkurrencë fer, si dhe për të mundësuar zhvillimin të mirëfilltë të biznesit. Gjithashtu ajo shtoi se ka indikacione në luftimin e invazionit fiskal dhe se për të gjitha këto kërkohet bashkëpunimi nga bizneset në luftimin e këtyre dukurive.
Ministrja Bajrami i njoftoi të pranishmit edhe për aktivitetet që është duke i ndërmarrë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe në përmirësimin e infrastrukturës ligjore për bizneset, është ngritur performanca në trajtimin e lëndëve të ndryshme për markat tregtare. Ajo shtoi se është duke u përpjekur për të përmirësuar qasjen në financa, ku është aprovuar në Qeveri Ligji për Garanci Kreditore, që do të mundësojë qasjen më të lehtë të bizneseve në financa.
Ajo, gjithashtu ceku se tashmë e kemi një Draft-ligj për Investime Strategjike, i cili do të përcaktojë fushat e zhvillimit strategjik të Kosovës, që do të thjeshtëzojë procedurat për investime dhe njëkohësisht do të mundësojë negocimin me investitorë strategjikë për të sjellë investime të reja në Kosovë.
Ministrja Bajrami ritheksoi se qeveria nuk hap vende të reja të punës, por krijon kushte për bizneset që këta të fundit të hapin vende të reja të punës, sepse në rrugën e zhvillimit të gjithëmbarshëm, Qeveria dhe bizneset janë partnerë.