Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të ministrave të ekonomisë dhe Tregtisë të Evropës Juglindore, me temën: “Sfidat e rimëkëmbjes ekonomike”, organizuar nga Forumi Ekonomik i Evropës Juglindore, që u mbajt sot në Sofje të Bullgarisë.
Ministrja Bajrami fillimisht falënderoi organizatorët për temat e zgjedhura për diskutim në këtë forum, të cilat janë të një rëndësie të madhe për ekonomitë tona. Duke ndarë dhe shkëmbyer përvojat tona do të marrim përvoja të dobishme për vendet tona.
Ministrja Bajrami tha se gjatë viteve të fundit, në aspektin e bashkëpunimit rajonal është arritur shumë, por ne jemi vetëm në fillim të një integrimi të vërtetë ekonomik mes vendeve tona dhe BE-së. Këmbimi tregtar midis vendeve të rajonit tonë është në rritje të vazhdueshme vit pas viti, por ekziston potenciali për t’u përmirësuar dhe zgjeruar edhe më tej.
Në një botë të globalizimit, konkurrenca është çelësi për integrimin e mëtejmë ekonomik. Kjo është arsyeja që na shtyn të investojmë më shumë burime njerëzore dhe financiare për të përmirësuar infrastrukturën e cilësisë, si e vetmja mënyrë që të arrijmë standardet ndërkombëtare.
Rajoni ynë mund të shndërrohet në një qendër të rëndësishme logjistike për BE-në dhe rajoni më i mirë për të vënë industrinë prodhuese në rajon, megjithatë ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së për investimet në infrastrukturë, shtoi ajo.
Përtej të folurit për fqinjësi të mirë, gjë për të cilën po ashtu kemi nevojë, ne duhet të arrijmë rezultate konkrete. Ne kemi nevojë për të ndërtuar rrugët që lidhin vendet tona dhe në këtë mënyrë të lidhim rajonin tonë me të gjitha korridoret e rëndësishme të Evropës.
Ne kemi dëshmuar se jemi të përkushtuar në dialogun me fqinjët tanë, bazuar në reciprocitet të plotë. Kemi arritur disa marrëveshje me Serbinë dhe fqinjët tjerë në heqjen e barrierave teknike të tregtisë dhe shpresojmë se secila palë do të respektojë marrëveshjet e arritura në interes të një mirëqenie më të mirë të qytetarëve të rajonit tonë, tha ministrja Bajrami.
Në fund, ajo shprehu përkushtimin e saj për integrimin e mëtejmë të ekonomisë së Kosovës në tregjet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. Për këtë ministrja Bajrami tha se kemi nënshkruar një numër të marrëveshjeve dypalëshe për të promovuar dhe mbrojtur investimet. Si pjesëmarrës aktivë në CEFTA dhe mekanizmat të tjerë të rajonit, ne po bëjmë përpjekke për të zgjidhur pengesat për tregti dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave brenda dhe jashtë vendit tonë. Po ashtu bashkëpunojmë ngushtë me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC), i cili ka një rol të rëndësishëm në integrimin e mëtejmë të rajonit tonë. Tani, jemi duke bërë përgatitje për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, menjëherë pas nënshkrimit dhe ratifikimit nga institucionet e BE-së dhe Kosovës.