Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në “Konferencën për Certifikimin për Cilësi,” e bashkë-organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, USAID-it, SIDA, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Ministrja Bajrami falënderoi partnerët: USAID-in, përkatësisht projektin EMPOWER, për bashkëpunimin me MTI-në dhe KIESA-n, SDC/PPSE, dhe BERZH-in, në lidhje me projektin e ri që do të fillojë dhe i cili ka për qëllim ofrimin e asistencës për kompanitë kosovare që të rrisin cilësinë e produkteve dhe të pajisen me certifikata të cilësisë të pranuara ndërkombëtarisht. Ministrja Bajrami, ndër të tjera, tha se ne si Qeveri e Kosovës do të ndajmë fonde shtesë në mënyrë që të kontribuojmë drejtpërdrejt në këtë projekt të rëndësishëm për certifikimin e produkteve; do të mundohemi të punojmë më shumë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë, dhe në këtë aspekt kemi marrë dhe po ndërmarrim reforma të shumta me qëllim që të nxisim aktivitetin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja në vend, tha ajo. Vitin e shkuar ne kemi filluar t’i ndjejmë efektet pozitive të reformave ekonomike, atyre fiskale dhe politikave tjera nxitëse, dhe si rrjedhojë kemi pasur rritje të investimeve të huaja direkte si dhe rritje të performancës së bizneseve, theksoi ajo. “Vitin e shkuar kemi qenë shumë të angazhuar në reformimin e legjislacionit, në përafrimin e tij me legjislacionin e BE-së, pasi që një nga objektivat tona kryesore është integrimi në Bashkimin Evropian”, tha ajo, duke shtuar se “ne si institucione jemi konsoliduar së bashku dhe kemi bërë përgatitje të shumta institucionale duke aprovuar edhe Planin për Zbatimin e MSA-së i cili nënkupton një varg reformash rregullative dhe legjislative në mënyrë që tregu ynë të jetë kompatibil me atë të Bashkimit Evropian.” Ministrja Bajrami me tej tha se politikat fiskale janë reformuar në bashkëpunim dhe partneritet me bizneset dhe se reforma për politika fiskale nuk ka përfunduar ende. Ajo potencoi se Ministria e Financave, po punon në bashkimin e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave në mënyre që TVSH-ja mos të mblidhet në kufi, sepse ne e kuptojmë që kjo është një kosto shtesë për bizneset, por ajo të mblidhet brenda në vend, theksoi ajo. Ministrja njoftoi se po punohet në prokurimin elektronik; njëkohësisht liberalizimi i importit të lëndës së parë dhe i linjave të makinerisë për prodhim ka ndikuar pozitivisht, dhe besojmë që edhe ju i keni ndjekur efektet pozitive të kësaj, tha ajo. “Me ndihmën e donatorëve dhe me ndihmën e USAID-it ne kemi funksionalizuar Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe më lejoni t’ju informoj që 4 milionët e para tashmë janë disbursuar në këtë fond, dhe mund të themi se Fondi është aktiv, duke adresuar një nga barrierat kryesore që ka qenë për NVM-të që është qasja në financa.” Ajo tha se presim që Fondi të reflektojë pozitivisht edhe tek bankat komerciale në uljen e normave të interesit për shkak se tanimë kemi një institucion i cili po bart 50 përqind të rrezikut për të gjitha kreditë e biznesit. Ne fund, ministrja Bajrami falënderoi partnerët ndërkombëtar që po punojnë në këtë projekt për bashkëpunimin me MTI-në dhe tha se jemi të bindur se përmes bashkëpunimit tonë të ngushtë do t’i ndihmojmë ndërmarrjet tona në rrugën e tyre për arritjen e cilësisë, gjë e cila do të kurorëzohet me certifikim të njohur ndërkombëtarisht.