Ministrja Bajrami mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit të BE-së “Asistencë Teknike Forcimit të Sistemit të Pronësisë Industriale”

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të Projektit të Bashkimit Evropian “Asistencë Teknike Forcimit të Sistemit të Pronësisë Industriale”, të organizuar nga Agjencia për Pronësi Industriale (API) në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Në fillim të fjalës së saj, ministrja Bajrami theksoi se BE-ja ka ndihmuar MTI-në përmes projekteve të ndryshme, duke shprehur besimin se një gjë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Përmes këtij projekti, me ndihmën e ekspertëve të ndryshëm, është dhënë asistencë dhe ekspertizë në ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit primar dhe sekondar në Kosovë”, tha ministrja Bajrami, duke shtuar se janë katër ligje në kuadër të API-së, të cilat me rekomandimet e ekspertëve të projektit janë ndryshuar.

Ministrja tha se ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Patenta dhe Ligjit për Marka Tregtare tanimë kanë hyrë në fuqi dhe po zbatohen, përderisa ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dizajn Industrial dhe Tregues Gjeografikë janë në fazën e fundit të miratimit në Kuvend.

Ministrja Bajrami, më tej shtoi se asistenca në këtë aspekt ka ndikuar, që ligjet që mbulojnë fushën e pronësisë industriale të jenë të harmonizuara me të gjitha direktivat dhe rregulloret e BE-së, andaj tani legjislacioni kosovar i pronësisë industriale në Kosovë, ofron mbrojtje ligjore të njëjtë me ato të vendeve të BE-së.

“Besojmë që kjo strategji është rruga të cilën institucionet e pronësisë intelektuale duhet ndjekur në drejtim të ofrimit të mbrojtjes sa më të mirë të pronësisë intelektuale në Kosovë, përkrahjes së inovacionit, mbrojtjes së brendeve dhe krijimeve artistike të ndryshme, si dhe ofrimin e kushteve më të mira për investitorët e huaj”, tha ministrja Bajrami.

Ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, më tej tha se API-tanimë është mjaft efikase në ekzaminimin e lëndëve të objekteve të pronësisë industriale, duke eliminuar lëndët e grumbulluara të cilat kanë ekzistuar deri në fillim të këtij viti. Si rezultat i kësaj, Kosova është në hap të njëjtë me vendet e ndryshme të botës sa i përket shpejtësisë së ekzaminimit të kërkesave për aplikim të regjistrimit të markave tregtare.

Në fund, ministrja theksoi se ky projekt ka ndikuar që Kosova të jetë më e përgatitur karshi obligimeve që dalin nga MSA-ja, duke shprehur besimin se zyra e BE-së në Kosovë edhe në të ardhmen do të asistojë institucionet vendore.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors