Ministrja Bajrami mori pjesë në panairin e ushqimit dhe pijeve „ANUGA“, në Këln të Gjermanisë

Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, vizitoi prezantimin e produkteve të kompanive kosovare në panairin e ushqimit dhe pijeve „ANUGA“, i cili po mbahet nga data 10.14.10.2015, në Këln të Gjermanisë, panair ky më i madhi i këtij sektori në Evropë.

Kjo pjesëmarrje e kompanive vjen si rezultat i bashkëpunimit të kompanive prodhuese kosovare me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), donatorët: USAID, Swisscontact, DEED projekt (UNDP & IOM) si dhe Shoqatës Kosovare të Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve.

Kompanitë kosovare pjesëmarrëse në panair janë Bodrumi i Vjetër – Rahovec, Liri, Sole Kosova,  Hit flores, Fungo FF, Golden Eagle, Frutomania, Abi Elif, Baha, Eko Wine, Winery Rahovec.

Panairi ka karakter ndërkombëtar dhe marrin pjesë mbi 90 vende nga tërë bota me një pjesëmarrje prej mbi 6.700 pjesëmarrës (ekspozues). Prodhuesit kosovarë pjesëmarrës në këtë panair do të kenë mundësinë të ekspozojnë produktet e tyre dhe të krijojnë lidhje biznesi e marrëdhënie kontraktuale me partnerë nga e mbarë bota.

Gjithashtu ministrja Hykmete Bajrami, e shoqëruar nga konzulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt, Astrit Zemaj, i bëri një vizitë edhe Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, union ky i themeluar para dy vjetëve, me rreth 200 anëtarë.

Kryetari i Unionit, z. Nazmi Viça, tregoi se qëllimi i kësaj shoqate është bashkimi i bizneseve shqiptare në Gjermani, si dhe fuqizimi i tyre. Ai bëri të ditur se anëtarësimi rreth këtij unioni po rritet gjithnjë e më shumë dhe ndihma që japin për vendin e tyre të lindjes vazhdon në mënyra të ndryshme.

Ministrja Bajrami tha se në Kosovë po ndryshon ambienti i biznesit. Kemi rifunksionalizuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE), i cili paraqet një platformë të rëndësishme për dialogun publiko-privat dhe për adresimin e barrierave dhe sfidave të bizneseve. Po merremi shumë seriozisht me të gjitha barrierat dhe kërkesat e bizneseve, të cilat pastaj po i adresojmë te mekanizmat përkatës në kuadër të këtij Këshilli”, potencoi ministrja Bajrami.

Njëra nga lehtësirat që po i krijon qeveria për biznese është edhe implementimi i pakos së re fiskale, e cila ka hyrë në fuqi që nga 1 shtatori i këtij viti, dhe se tashmë bizneset kanë filluar t’i ndjejnë efektet e saj. Ajo njëkohësisht bëri të ditur se është në finalizim udhëzimi administrativ për pushime tatimore, ku bizneset e caktuara do të lirohen nga tatimi në fitim gjatë investimeve.

Ajo, gjithashtu ceku se tashmë e kemi hartuar një draft-ligj për investime strategjike, i cili do të përcaktojë fushat e zhvillimit strategjik të Kosovës, që do të thjeshtëzojë procedurat për investime dhe njëkohësisht do të mundësojë negocimin e drejtëpërdrejtë me investitorë strategjikë për të sjellë investime të reja në Kosovë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia për Promovim të Investimeve do të jenë gjithmonë një derë e hapur dhe do të vazhdojnë të luajnë rolin avokues për të gjitha bizneset, premtoi ministrja.

Përfaqësues të bizneseve kërkuan nga institucionet e vendit infrastrukturë ligjore që ua bën më të lehtë zhvillimin e procedurave për investime dhe që ofron mbrojtjen e investimeve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors