Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në prezantimin e rezultateve të indikatorëve matës të tendencës në biznes për tremujorin e parë të vitit 2017.
Rezultatet e prezantuara nga Oda Ekonomike e Kosovës, të financuara nga GIZ, tregojnë se ka pasur rritje në numrin e bizneseve të cilat e vlerësojnë të kënaqshme gjendjen aktuale, ku rreth 85 përqind e bizneseve e vlerësojnë gjendjen të kënaqshme, ndërsa 15% si gjendje e pakënaqshme. Gjithashtu, rezulatatet e këtij hulumtimi tregonë se bizneset vlerësojnë se ambineti i biznesit është përmirësuar në krahasim me vitet e mëparshme.
Ministrja Bajrami tha se gjatë këtyre dy viteve e gjysmë ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë në mes të institucioneve dhe sektorit privat, dhe është dëshmuar se politikat ekonomike të suksesshme arrihen në bashkëpunim me komunitetin e biznesit.
Tutje, ministrja Bajrami tha se përmirësimi i ambientit të biznesit është vlerësuar edhe nga institucione të ndryshme ndërkombëtare ku në raportin e fundit të Bankës Botërore Kosova është radhitur në vendin e 60-të, dhe në Indeksin e Lirisë Ekonomike të matur nga “Fondacioni Heritage,” nga pozita 84 në të cilën ishim në vitin 2015 jemi ngritur në pozitën e 46-të, nënvizoi ajo.
Ministrja Bajrami theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe sektorit privat me qëllimin të përmirësimit të mëtejmë të ambientit të të bërit biznes.