Ministrja Bajrami mori pjesë në takimin me përfaqësues të bizneseve

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hykmete Bajrami, mori pjesë në një takim me përfaqësues të bizneseve vendore dhe investitorë të huaj, që u organizua nga Aleanca Kosovare e Biznesit, me temën: ”Qeveria e Kosovës, në funksion të zhvillimit të ekonomisë vendore”.

Në fjalën e saj, ministrja Hykmete Bajrami konsideroi se gjatë kësaj periudhe nëntëmujore janë bërë hapa konkretë për sa i përket përmbushjes së prioriteteve strategjike, që burojnë nga Programi Qeverisës 2015 – 2018, dhe se prioritet i veçantë në këtë program i është dhënë me të drejtë zhvillimit ekonomik, rritjes ekonomike dhe përmirësimit të standardit të jetës së qytetarëve.

Ajo theksoi se në vazhdën e përpjekjeve për të përmirësuar qasjen në financa, Qeveria e Kosovës ka aprovuar Ligjin për Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive, i cili pritet të aprovohet në Kuvend së shpejti, që të mundësojë themelimin e këtij fondi që do të mbulojë deri në 50% të kolateralit të kërkesave kreditore për biznese të caktuara.
Gjithashtu, ajo potencoi se në kuadër të angazhimeve për të institucionalizuar dialogun publiko-privat është riaktivizuar Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili është shndërruar në një platformë të rëndësishme për adresimin e çështjeve që preokupojnë drejtpërdrejt bizneset. Për të funksionalizuar sa më mirë Këshillin janë krijuar katër grupe punuese që përfshijnë përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante, të cilat diskutojnë çështjet në nivelin teknik dhe i japin rekomandime konkrete Këshillit.

Ministrja Bajrami bëri të ditur se Qeveria ka aprovuar koncept-dokumentin për Ligjin për Investime Strategjike. “Përmes këtij ligji do të përcaktojmë se cilat janë fushat e zhvillimit strategjik të Kosovës, dhe do të definojmë profilin e investitorëve strategjikë. Do të bëjmë përpjekje maksimale që me këtë ligj të thjeshtësojmë procedurat për investime dhe njëkohësisht të ruajmë transparencën dhe besimin për fondet publike, të cilat do të investohen, por edhe interesin e partnerëve privat që do t’i kemi”, tha ajo.

Ministrja Bajrami theksoi se është punuar edhe në integrimin e mëtejmë të vendit në mekanizmat rajonalë dhe globalë, si dhe janë bërë të gjitha përgatitjet sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe njëkohësisht ka pasur pjesëmarrje mjaft aktive në CEFTA dhe në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal.

Ministrja Bajrami u përgjigj në shumë pyetje që shtruan përfaqësuesit e bizneseve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors