Ministrja Bajrami mori pjesë në tryezën e organizuar nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti GAP ku u diskutua për Projektligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami theksoi se objektivi i këtij projektligji është krijimi i bazës ligjore të mirëfilltë për nxitjen dhe mbështetjen e investimeve të huaja në Kosovë, në sektorë të rëndësishëm, të cilët paraqesin potencial të lartë zhvillimor për ekonominë e vendit. Ministrja theksoi se përmes këtij projektligji përcaktohen rregullat të cilat kanë për qëllim thjeshtësimin e procedurave për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Ky projektligj ndikon drejtpërdrejt në eliminimin e barrierave administrative dhe shkurtimin e kohës për realizimin e investimeve të huaja në vendin tonë, komponenta këto mjaft të kërkuara nga investorët, tha ministrja Bajrami.
Më tej, ministrja Bajrami shtoi se vendet fqinje me të cilat Republika e Kosovës është në garë të drejtpërdrejt për tërheqjen e investimeve të huaja kanë legjislacion më të favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja si dhe për bartjen e pronës shtetërore tek investitorët e huaj me qëllim të realizimit të investimeve. Kjo për shkak se legjislacioni i vendeve fqinje të Kosovës parasheh procedura më të thjeshta për bartjen në shfrytëzim të pronës shtetërore tek investitorët e huaj dhe atë me çmime simbolike, dhe pa pasur nevojë për hapjen e procedurave tenderuese, tha ministrja.
Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, legjislacioni i Kosovës i ndërlidhur me investimet strategjike do të përafrohet me legjislacionin e vendeve të rajonit dhe njëkohësisht do të eliminohen shumë nga pengesat për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duke e bërë Kosovën vend më tërheqës për kompanitë e fuqishme ndërkombëtare, potencoi ministrja Bajrami.