Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në “Pitching Event”, të organizuar nga Banka TEB. Ajo, para përfaqësuesve të shumtë të bizneseve dhe asociacioneve të afaristëve foli rreth rëndësisë që ka inovacioni për ekonominë e Kosovës dhe për gjenerimin e punësimit.
Ministrja Bajrami u shpreh se inovacioni dhe ndërmarrësia janë në marrëdhënie komplementare, duke shtuar se sa më shumë inovacion, aq më shumë ka rritje dhe prosperitet për ndërmarrjet. Ajo nënvizoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh inovacionin si katalizator të rritjes së ndërmarrjeve dhe si burim që gjeneron vende pune për ekonominë tonë. Ajo theksoi se në Kosovë ekziston një kornizë institucionale për adresimin e nxitjes së inovacionit, ku MTI zë njërin nga vendet qendrore.
Ministrja potencoi se MTI po merret edhe me zgjerimin e kapaciteteve infrastrukturore, të cilat do ta rrisin mundësitë e kompanive për të zhvilluar projektet e tyre inovative. Këtu kemi parasysh Zonat Ekonomike, Parqet Industriale dhe Inkubatorët e Biznesit, disa nga të cilat janë ndërtuar, ndërsa të tjera janë në proces, si: Parku i Biznesit në Drenas, në Mitrovicë, Parku Teknologjik në Shtime etj., tha ajo.
Më tej, ministrja Bajrami shtoi se në kuadër të programit për përkrahjen e ndërmarrësve të rinj, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) organizon edhe garën për planet më të mira të biznesit, ku një nga qëllimet kryesore të këtij programi është nxitja dhe implementimi i ideve inovative në ndërmarrësi.
“Është e nevojshme të punohet më shumë në krijimin e një ndërveprimi më funksional mes institucioneve publike, biznesit dhe institucioneve akademike”, shtoi ministrja Bajrami, duke potencuar se në këtë drejtim janë të rëndësishme edhe reformat në arsim, në mënyrë që sistemi ynë arsimor të integrohet në ketë ndërlidhje, duke prodhuar kuadro kompetente që do të ndihmojnë në avancimin e mëtejmë të ndërmarrësisë inovative.
Në këtë frymë, ajo përmendi si shembull projektin ‘Triple Helix’ një projekt i OECD-së, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, dhe që implementohet në partneritet me MTI-në. “ 'Triple Helix Competition 2015’ ka për qëllim që idetë inovative të paraqitura nga kompanitë dhe hulumtuesit kosovarë të mbështeten në mënyrë që ato të realizohen në praktikë”, theksoi ministrja Bajrami.