Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti sot në takim ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, i akredituar edhe si ambasador jorezident për Kosovë, z. Daniel Maksymiuk.
Ministrja Bajrami e informoi ambasadorin Maksymiuk, rreth reformave që Qeveria e Kosovës po ndërmerr me qëllim të përmirësimit të kushteve të të bërit biznes dhe krijimit të lehtësirave për investime.
Ambasadori Maksymiuk u zotua se do të angazhohet në kultivimin dhe forcimin e miqësisë mes Kanadasë dhe Republikës së Kosovës, duke shtuar se Kanadaja do të jetë mbështetëse e Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Ministrja Bajrami dhe ambasadori Maksymiuk ranë dakord se do të punojnë së bashku me qëllim të rritjes së rezultateve të shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në takim u diskutua edhe për marrëveshjen e mbrojtjes dhe promovimin e investimeve mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, e cila është në fazën finale të nënshkrimit.