Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin. Në takim u diskutua për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Komunës së Drenasit në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e sektorit privat në këtë komunë.
Ministrja Bajrami e njoftoi kryetarin Lladrovci me projektet e MTI-së që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërmarrjeve dhe lehtësimin e aktivitetit afarist përmes krijimit të politikave favorizuese për bizneset.
Ministrja Bajrami dhe kryetari Lladrovci folën edhe rreth fuqizimit të bashkëpunimit lidhur me funksionimin e mirë të Parkut të Biznesit në Drenas si dhe rreth planeve për zgjerimin e këtij parku përmes fazës së dytë.
Kryetari Lladrovci shprehu zotimin e Komunës së Drenasit për të bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në fuqizimin e bizneseve me qëllim të rritjes së aktivitetit ekonomik dhe zhvillimin e përgjithshëm të kësaj komune.