Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Milva Ekonomi. Pjesëmarrës në takim ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Ministrja Bajrami i informoi ministren Ekonomi për punën e bërë nga Qeveria e Kosovës në drejtim të përmirësimit të mjedisit afarist në vend.
Ajo tha që indikatorët e përgjithshëm ekonomik kanë trend pozitiv, dhe po ashtu ka interesim për investime nga kompani të huaja, sidomos vërehet rritje e interesimit për investime nga vendet e zhvilluara, tha ministrja. Ministrja Bajrami theksoi që Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe statistikat konfirmojnë se përpjekjet e qeverisë po japin rezultate të prekshme. Në anën tjetër, ministrja Ekonomi foli rreth aktiviteteve dhe hapave që janë ndërmarrë nga qeveria e Shqipërisë në fushën e reformave ekonomike, veprime këto që kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik, tha ajo. Në takim u konstatua se të dyja vendet kanë marrëdhënie shumë të mira dhe se nuk ka asnjë çështje të hapur tregtare. Bashkëbiseduesit u dakorduan rreth krijimit të një marrëveshje në mes të dy vendeve për shkëmbimin e forcës punëtore sidomos gjatë sezones turistike në Shqipëri. Po ashtu, u diskutua rreth mundësisë së shkëmbimit të eksperiencës në fushën e përpunimit të produkteve me qëllim të ngritjes së cilësisë së produkteve vendore të të dyja vendeve. Ministrja Bajrami i uroj ministres Ekonomi dhe ambasadorit Minxhozi 104 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë duke theksuar se kjo është festë e jona e përbashkët.