Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami priti në takim njohës zyrtaren nga Byroja për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit e angazhuar për Kosovë, znj. Margaret A. Ehr.
Ministrja Bajrami e informoi znj. Ehr rreth aktiviteteve që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në realizimin e agjendës ekonomike. Ajo shpjegoi ecurinë e reformave të nisura nga kjo qeveri, duke u ndalur konkretisht tek disa nga punët prioritare që po ndërmerren aktualisht, sikurse: pakoja e re fiskale si dhe ligjet e aktet tjera nënligjore të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin klimës së të bërit biznes dhe eliminimin e barrierave për investime.
Znj. Bajrami e falënderoi bashkëbiseduesen për mbështetjen e Qeverisë Amerikane, duke çmuar veçanërisht ndihmën e USAID-it si një partner shumë i rëndësishëm në implementimin e agjendës sonë ekonomike në të cilën po punohet me përkushtim.
Përveç tjerash, Ministrja informoi edhe rreth punës që po bën Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, duke theksuar se krahas pjesëmarrjes së institucioneve publike, në punën e Këshillit janë përfshirë poashtu edhe asociacionet e biznesit duke i kontribuar kështu thellimit të dialogut publiko-privat.
Në anën tjetër, Znj. Ehr, rikonfirmoi gatishmërinë e Departamentit Amerikan të Shtetit për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, përfshirë këtu edhe ofrimin e asistencës për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.