Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim, z. Siegfried Schumacher, përfaqësues i kompanisë gjermane Philipos Food LLC, që është në proces të investimit për hapjen e fabrikës për përpunimin e ushqimit në Podujevë.
Në takim, ministrja Bajrami e njoftoi z. Schumacher rreth ecurisë së reformave ekonomike që po ndërmerr Qeveria e Kosovës për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes. Në anën tjetër, z. Schumacher e njoftoi ministren Bajrami rreth ecurisë së investimeve në fabrikën e tyre në Podujevë, dhe shprehu falënderimin e tij për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, të udhëhequr nga znj. Bajrami, për bashkëpunim dhe mbështetje në tërë këtë proces. Kjo mbështetje, tha ai, është shumë inkurajuese dhe do të ndikojë që të rritet edhe më shumë niveli i investimeve të tyre si dhe do t’i inkurajojë ata që të sjellin edhe investitorë tjerë nga Gjermania në Kosovë. Ky investim gjerman në Kosovë pritet të hapë qindra vende pune në fazën e parë të projektit dhe do të vazhdojë të zgjerohet edhe më tej, theksoi z. Schumacher. Ministrja Bajrami theksoi se Qeveria e vendit do të jetë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar secilin investitor të interesuar për investime në Kosovë.