Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim një delegacion austriak, i cili kryesohej nga Dr. Martin Ledolter, drejtor menaxhues i Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Në takim u diskutua rreth vazhdimit të bashkëpunimit institucional në mes Kosovës dhe Austrisë.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, ministrja Bajrami falënderoi shtetin austriak për asistencën e tyre të vlefshme ofruar deri tani për Republikën e Kosovës si dhe për gatishmërinë e tyre që kjo mbështetje të zgjerohet edhe më tej. Ministrja u foli mysafirëve nga Austria rreth punës që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës në funksion të fuqizimit ndërmarrjeve, përmirësimit të ambientit të të bërit biznes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Z. Ledolter falënderoi ministren Bajrami dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë të deritashëm dhe shprehu zotimin e shtetit austriak që bashkëpunimi ekonomik dhe asistenca që do të ofrohet nga Austria do të vazhdojë duke ndërtuar një partneritet afatgjatë institucional në mes Kosovës dhe Austrisë.