Ministrja Bajrami mori pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ku tema kryesore e rendit të ditës ishte Raportimi rreth aktiviteteve të MTI-së për periudhën janar-shtator 2015 dhe për planet e MTI-së për vitin 2016.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami shpalosi punët e bëra nga MTI përgjatë këtyre muajve, duke u ndalur në pikat kryesore të fushëveprimtarisë së MTI-së dhe institucioneve të saj vartëse.
Ndër të tjera, ministrja foli për aktivitetet në kuadër të mekanizmit të CEFTA-s, për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Raportin e “Doing Business 2016” të Bankës Botërore, punën e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, punët rreth përmirësimit të infrastrukturës ligjore dhe asaj fizike për biznesin, dialogun e drejtpërdrejtë dhe mbështetjen e biznesit vendor.
Më tej, ministrja foli edhe për projektet tjera të rëndësishme me të cilat po merret MTI, sikurse: projekti për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës, Rregullimin e tregut të brendshëm etj.
Znj. Bajrami foli edhe rreth projekteve për të periudhën vijuese në të cilat MTI po punon intensivisht.
Ministrja Bajrami mori mbështetjen e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për punën që po bën Ministria që ajo drejton. Anëtarët e Komisionit dhe ministrja Bajrami u dakorduan që ky bashkëpunim të vazhdojë më tutje në frymën e qëllimit të përbashkët – përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit biznesor në vend si parakusht për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjes ekonomike.