Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në kuadër të pjesëmarrjes në konferencën informuese për bizneset e rajonit të Gjilanit, zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Temë e këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit me qëllim të përmirësimit të ambientit të biznesit dhe zhvillimin ekonomik të kësaj zone. Ministrja Bajrami the se një nga prioritetet e MTI-së është zhvillimi e Zonave Industriale dhe fuqizimi i ndërmarrjeve private, dhe në këtë kontekst ajo u zotua se MTI dhe Qeveria e Kosovës do të japin përkrahje të vazhdueshme për Komunat e Kosovës me qëllim të rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Kryetari Haziri e informoi ministren Bajrami rreth aktiviteteve të ndërmarra nga kjo komunë në përkrahje të bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të kësaj komune. Bashkëbiseduesit diskutuan rreth mundësisë së funksionalizimit të Zonës Industriale në këtë qytet si dhe të një Zone Industriale që do t’i shërbente të gjithë rajonit të Anamoravës.