Ministrja Bajrami priti sot në takim drejtoreshën rajonale të Komitetit për Marrëdhënie Ekonomike me Evropën Lindore me seli në Berlin të Gjermanisë, znj. Anja Quiring.
Znj. Bajrami, e informoi mysafiren nga Gjermania rreth reformave ekonomike të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe rreth përpjekjeve të gjithmbarshme për përmirësimin e rrethinës së të bërit biznes në vendin tonë. Ministrja i shpjegoi zonjës Quiring disa nga rezutatet pozitive të cilat kanë ndodhur vitin e fundit, sikurse nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me BE-në, e cila do të sjellë mundësi të reja për bizneset dhe ekonominë e vendit. Ministrja, ndër të tjera, përmendi edhe pakon e re fiskale e cila ka hyrë në fuqi nga shtatori i vitit 2015, punën e vazhdueshme në përmirësimin e legjislacionit, liberalizimin e linjave prodhuese dhe veprime të tjera të Qeverisë të cilat po japin efekte pozitive në nxitjen e aktiviteteve ekonomike dhe rritjen e investimeve të huaja në vendin tonë. Znj. Bajrami foli edhe për sfidat e shumta të cilat vazhdojnë të shihen si barriera nga investitorët duke i shpjeguar znj. Quiring vizionin e Qeverisë së Kosovës për adresimin e tyre.
Në fjalën e saj, znj. Quiring, shprehu gatishmërinë e Komitetit për Marrëdhënie Ekonomike me Evropën Lindore për të përkrahur zhvillimin ekonomik të Kosovës. Të dyja bashkëbisedueset u pajtuan që të punojnë së bashku në identifikimin projekteve dhe eksplorimin e mundësive për bashkëpunim i cili do të ndihmojë në intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike në mes Kosovës dhe Gjermanisë.