Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, vizituan kompaninë për prodhimin e lëngjeve FLUIDI në Gjilan. Gjatë kësaj vizite, ata u njoftua nga menaxhmenti i kësaj kompanie me aktivitetin prodhues të kompanisë FLUIDI, me sukeset e arritura deri tani por edhe me sfidat me të cilat ballafaqohen ata si kompani prodhuese.
Ministrja Bajrami u tha përfaqësuesve të FLUIDI-t se Qeveria e Kosovës ka shënuar progres të konsiderueshëm sa i përket përmirësimit të kushteve për prodhuesit kosovarë, dhe se aktiviteti i Qeverisë po vazhdon akoma, sidomos tash kur po punohet në krijimin e pakos së re fiskale e cila do të ofrojë lehtësira të shumta me qëllim të stimulimit të aktivitetit prodhues në Republikën e Kosovës.
Përfaqësuesit e kompanisë FLUIDI falënderuan institucionet e Kosovës për përkushtimin e tyre dhe kërkuan nga qeveria që të krijohen lehtësira të mëtejme qoftë të natyrës fiskale por edhe lehtësira që ndihmojnë në lehtësimin e eksportit për prodhuesit nga Kosova.