Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në lansimin e fushatës “Promovimi i Qumështit të Freskët Vendor”, organizuar nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës dhe Shoqata e Qumështoreve të Kosovës.
Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, si dhe përfaqësues të dy shoqatave të qumështit. Kryeministri Mustafa shprehu admirimin për punën e qumështarëve të Kosovës. “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh admirimin për një punë të mrekullueshme që po e bëni ju në këtë fushë shumë të rëndësishme, sepse është një fushë, në të cilën ne po sigurojmë ushqimin për qytetarët tanë, po sigurojmë një produkt që është tepër i rëndësishëm për familjen, fëmijët, por me të cilën ne edhe mund të zëvendësojmë importin e këtyre produkteve nga vendet e tjera”, tha kryeministri. Më tutje, kryeministri Mustafa tha se janë arritur rezultate inkurajuese në prodhimin e qumështit, sidomos të qumështit të freskët dhe se ka një aktivitet shumë të rëndësishëm të fermerëve, të shoqatave që merren qoftë me përpunimin, qoftë me përkrahjen e prodhimit të qumështit vendor. Duke folur për përkrahjen e dhënë nga Qeveria përmes mjeteve financiare, kryeministri Mustafa, po ashtu ka shprehur përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë përmes Ministrisë së Bujqësisë për sektorin e prodhimit të qumështit. “Rezultatet dhe vlerat tregojnë se është investuar në një sektor tepër të rëndësishëm. Ne kemi interes që të afirmojmë qumështin e freskët në familjet tona, te fëmijët dhe qytetarët tanë. Kemi interes që maksimalisht të bëjmë përpjekje që të zëvendësojmë importet e qumështit me qumështin vendor, sepse është më cilësor, më i sigurt dhe më i pëlqyeshëm. Prandaj, kam ardhur që në emër të Republikës së Kosovës t’ju përkrahë për punën që bëni, të marr pjesë së bashku me ju në afirmimin e kësaj iniciative të prodhimit dhe konsumimit të qumështit të freskët dhe poashtu t’ju siguroj se do të bëjmë çdo gjë që përmes Ministrisë përkatëse dhe ministrive tjera, të përkrahim punën dhe aktivitetin tuaj, qoftë në prodhimin primar të qumështit, qoftë pastaj në përpunimin e mëtejmë të tij, sepse jemi të interesuar që edhe këtë sektor ta zhvillojmë në të ardhmen”, tha kryeministri. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar punën që po bëhet në ngritjen e kualitetit të produkteve bujqësore dhe në promovimin e tyre. “Kosova sot është ekonomi e hapur e tregut. Siç e dini, jemi anëtar dhe nënshkrues të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, jemi shumë serioz aty dhe jemi shumë aktiv. Gjithashtu ka filluar edhe implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit i cili na jep qasje në 28 vende të Evropës. Kualiteti i produkteve është kushti kryesor për të depërtuar në këto tregje, mirëpo ne para se të provojmë të prodhojmë dhe promovojmë produktet tona jashtë, duhet që ato t’i konsumojmë vetë dhe të ngrisim kualitetin në mënyrë që të konsumohen këtu. Parakusht i zhvillimit të eksportit është zëvendësimi i importeve dhe pikërisht këtë në fakt e ka bërë projekti AGRO i financuar nga USAID-i, i cili po ndihmon në projektet tjera edhe në certifikimin e produkteve tjera për standardin e cilësisë, e cila po implementohet nga projekti i EBRD-së”, tha Bajrami. Ministrja më tej ka inkurajuar konsumatorët që të konsumojnë qumështin vendor. “Qumështi jonë vendor është më cilësor se shumica e produkteve të cilat ne i importojmë. Ne duhet të mbështesim produktet tona përmes konsumimit të tyre. Konsumimi i produkteve nënkupton zëvendësim të importit, nënkupton krijim të vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht nënkupton zhvillim ekonomik për vendin. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është shumë e hapur dhe bashkëpunuese. Ka bashkëpunuar gjatë gjithë kësaj kohe edhe me projektin edhe me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit. Bashkë me ministrin Krasniqi ne vitin e kaluar dhe këtë vit kemi eliminuar të gjitha barrierat tregtare. Mirëpo, meqenëse jemi nënshkrues dhe kemi marrë obligime shtetërore për marrëveshje të tregtisë së lirë, nuk është që për kërkesa të kujtdo mund të vendosim masa proteksioniste. Do të thotë jemi ekonomi të tregut dhe konkurrencën mund ta luftojmë vetëm me ngritjen e kualitetit të produkteve tona, dhe besoj që ky është një start i mirë por ka edhe projekte tjera që po na ndihmojnë në këtë aspekt”, tha ministrja e MTI-së.