Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti në takim drejtorin për politika të zgjerimit të BE-së për Evropën Juglindore dhe Turqinë; Helge Tolksdorf, në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, i cili shoqërohej nga znj. Anja Meyer, nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Energjetike.
Gjatë takimit, ministrja Bajrami i ka njohur partnerët gjermanë për zhvillimet e përgjithshme në fushën e ekonomisë dhe tregtisë së Kosovës, me theks të veçantë në implementimin e projekteve kapitale. Ajo i informoi mysafirët se qeveria është duke punuar për të krijuar kushte sa më të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja, me ç’gjë promovohet dhe përmirësohet zhvillimi ekonomik i vendit. Po ashtu, Qeveria është duke përgatitur Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, që buron nga programi qeverisës 2015 – 2018. Me riaktivizimin e Këshillit Kombëtar përveç Zhvillim Ekonomik qeveria synon fuqizimin e dialogut publiko-privat, ndërsa MTI-ja do të luajë rolin e avokatit për bizneset dhe investitorët vendorë dhe të huaj.
Z. Helge Tolksdorf shprehu interesimin e vendit të tij për intensifikimin e këmbimeve bilaterale tregtare, si dhe siguroi ministren për përkushtimin e Qeverisë gjermane për mbështetjen e Kosovës në zhvillimin ekonomik.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që me Procesin e Berlinit mund të ndikohet në përmirësimin e mëtejmë të integrimit rajonal dhe në përmirësimin e përgjithshëm të klimës për biznes në Ballkanin Perëndimor.