Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti në takim z. Chris Gilbert, drejtor ekzekutiv i kompanisë britanike “Fox Marble”, e cila ka investuar në Kosovë, në sektorin e përpunimit të gurit dekorativ – mermerit.
Ministrja Bajrami informoi mysafirët me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që kanë për qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së biznesit dhe inkurajimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë. Ajo i siguroi mysafirët se ekonomia është fokusi kryesor i Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se ambienti i biznesit po përmirësohet në vazhdimësi dhe së shpejti pritet edhe aprovimi i pakos së re fiskale, e cila do ta lehtësojë edhe më tej zhvillimin e biznesit në Kosovë.
Drejtuesit e “Fox Marble” e informuan ministren për aktivitetet e tanishme biznesore dhe për planet për zgjerimin e investimeve të tyre edhe në sektorë të tjerë industrial në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin e bujqësisë.