Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti sot një delegacion të investitorëve nga Monako, të cilët po e vizitojnë Kosovën me qëllim që të njihen me mundësitë e investimeve në vendin tonë.
Ministrja Bajrami fillimisht i informoi mysafirët me punën e vazhdueshme që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës për të lehtësuar investimet në vend. Ajo përmendi ndryshimin e politikave fiskale, marrëveshjet bilaterale për shmangien e tatimit të dyfishtë si dhe ato që kanë për qëllim mbrojtjen e investimeve të huaja në Kosovë, pushimet tatimore që do të aplikohen në varësi të nivelit të investimeve, koston e lirë të fuqisë punëtore dhe lehtësira të tjera. Ajo po ashtu i siguroi mysafirët se ekonomia është prioritet i qeverisë dhe se ambienti i biznesit po përmirësohet në vazhdimësi. Investitorët nga Monako, shprehën interesimin e tyre për investim në Kosovë dhe u interesuan për mbështetjen që Qeveria e Kosovës ofron për investitorët e huaj. Ata u shprehën optimistë se investimet e tyre në vlerë disa milionëshe në Kosovë do të fillojnë të realizohen së shpejti. Ministrja Bajrami u tha investitorëve se legjislacioni i Kosvës i trajton investitorët e huaj në mënyrë të barabartë me ata vendës. Ajo theksoi gatishmërinë e MTI-së për të përkrahur secilin investitorë dhe për t’i asistuar ata në të gjitha etapat e procesit të tyre investiv.