Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Hykmete Bajrami takoi sot përfaqësues të Konzorciumit për Zhvillim të Qendrës Turistike të Brezovicës, kryesuar nga Drejtori Menaxhues z. Pascal Raux.
Përfaqësuesi i Konzorciumit e njoftoi ministren për vazhdimin me sukses në përmbushjen e obligimeve që dalin nga kontrata e nënshkruar për projektin e Brezovicës, obligime të cilat duhet të përmbushen para hyrjes në fuqi të kontratës. Po ashtu z. Raux njoftoj Ministren se pas nënshkrimit të kontratës për Brezovicën është rritur interesimi i palëve për t‘u bërë pjesë e këtij projekti dhe për t‘u përfshirë në investime në këtë projekt.
Ministrja falënderoi përfaqësuesit e kompanisë për prezantimin dhe i siguroi që Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbështesë projektin dhe të realizojë obligimet e Qeverisë, që dalin nga kontrata e nënshkruar. Gjithashtu, ministrja njoftoi z. Raux për gatishmërinë e Qeverisë, për të mbështetur konzorciumin gjatë dialogut me Institucionet Financiare.
Ky takim u realizua në vazhdën e takimeve të rregullta ndërmjet MTI-së dhe konzorciumit, për të diskutuar lidhur me progresin e projektit.