Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka marrë pjesë në diskutimin e organizuar nga Këshilli Evropian i Investitorëve, me rastin e 7- vjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Duke e vlerësuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si një ndër hapat më të rëndësishëm për Kosovën, në rrugën drejt integrimit evropian, ministrja Hajdari tha se Kosova ka marrë një varg veprimesh të obligimeve dhe reformave institucionale në veçanti të aspektit ekonomik, duke theksuar se kjo marrëveshje në thelb ka pikërisht këtë qëllim.
Ministrja Hajdari, tha se gjatë vitit 2022, është rritur vlera e shkëmbimeve tregtare me vendet e Bashkimit Evropian duke theksuar se 41% e shkëmbimeve të përgjithshme tregtare janë realizuar në vendet e BE-së duke arritur vlerën 2.7 miliardë euro, kurse sa i takon eksportit, duke arrit vlerën e mbi 311 milionë euro ose 33.8% e totalit të eksporteve të mallrave me një rritje prej 31% në raport me vitin paraprak.
Mesatarisht, që nga hyrja në fuqi e MSA-së, niveli i eksporteve drejt vendeve të BE-së është rritë deri në 20% në çdo vit përgjatë tri viteve të para, ndërsa nga viti i katërt deri më tani mesatarisht kemi rritje vjetore rreth 40%.
Po ashtu, ministrja Hajdari ka përmendur edhe trendin pozitiv të rritjes së investimeve të huaja direkte nga vendet e BE-së, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2022, ato arritën vlerën prej 342.6 milionë euro, rritje kjo prej 44.36% nga një vit më parë. Stoku i investimeve të huaja nga vendet e Bashkimit Evropian, që nga hyrja në fuqi e MSA-së, është 911.4 milionë euro.
Nga këto investime, Gjermania përben pjesën dërmuese me 65.6% apo 597.8 milionë euro të investimeve të gjithmbarshme. Pastaj Austria me 178.6 milionë euro apo 16.3% të totalit të investimeve dhe Hungaria me 60 milionë euro apo 6.6%.



