Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Evropën Juglindore, e organizuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), me temën “Human Capital Flight – Shaping the Future Together’’.
Kjo ngjarje e kësaj jave, kishte për qëllim të diskutojë qasjet e politikave dhe praktikat më të mira për krijimin e kushteve për investime dhe krijimin e vendeve të punës cilësore; pajisjen e njerëzve me aftësitë e duhura për kalimin në ekonomi të bazuara në njohuri, si dhe kapitalizimin e diasporës së rajonit për më shumë zhvillim.
Konferenca kishte pjesëmarrje nga ministrat përgjegjës për çështjet ekonomike dhe zhvillimin, përfaqësues të nivelit të lartë nga Evropa Juglindore dhe nga vendet anëtare të OECD dhe BE, organizatat partnere ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare, si dhe akterë të tjerë rajonal.
Konferenca filloi me fjalimet nga përfaqësues të nivelit të lartë nga BE dhe OECD dhe lansimin e raportit 'Migracioni i fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor' i dizajnuar nga OECD për të ndihmuar qeveritë, të kompensojnë sfidat dhe të maksimizojnë përfitimet e migracionit.
Ne vijim, në panelet e diskutimeve te udhëhequra nga pyetjet për secilin shtet të rajonit të Evropës Juglindore, u shqyrtuan mënyrat e ndryshme që rajoni mund të përdorë kapitalin njerëzor – aftësitë, përvojën dhe talentet e qytetarëve– për ta bërë rajonin sa me të begatë dhe konkurrues. Diskutimi ishte i fokusuar në pyetjet, se si ne qeveritë nga rajoni, mund ta menaxhojnë migrimin për motive punësimi dhe të krijojmë një të ardhme premtuese për qytetarët dhe bizneset, dhe se si forcimi i tregjeve vendore të punës dhe transformimi i talenteve mund të nxisin zhvillimin socio-ekonomik në Evropën Juglindore.
Në panelin e parë ministror me kryesim nga Zvicrra dhe përfaqësim nga Sllovenia, Kroacia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, u diskutuan potencialet për të rritur sasinë dhe cilësinë e punësimit dhe për të promovuar zhvillimin e aftësive, duke shfrytëzuar flukset e mëdha të remitancave në rajon në mënyrë më strategjike, duke kanalizuar njohuritë dhe investimet e diasporës drejt aktiviteteve produktive.
Ne pyetjen se si Republika e Kosovës synon të krijojë një mjedis të përshtatshëm për të nxitur investimet nga diaspora dhe për të shfrytëzuar sa më shumë hyrjet e mëdha të remitencave, Ministrja Hajdari prezantoi politikat dhe veprimet qeveritare të përqendruara në reformat strukturore dhe përmirësim të treguesve për stabilitet ekonomik dhe politik, sundim të ligjit dhe rritje të demokracisë në vendin tonë, me synim për ndërtimin e besimit dhe forcimin e angazhimit me diasporën për maksimizim të përfitimeve zhvillimore nga emigracioni.
Ministrja Hajdari theksoi se diaspora jonë është pasuria më e vlefshme në vendet ku banon, gjersa sjell me vete jo vetëm një pasuri të madhe por më së shumti kapital njerëzor, andaj janë forca lëvizëse e ekonomisë sonë.
"Përmes transferimit të njohurive dhe burimeve financiare, formalizimit të remitencave dhe tërheqjes së investimeve nga diaspora në mënyrë më strategjike, do të maksimizojmë përfitimet zhvillimore nga emigracioni. Si dhe, duke forcuar politikat e arsimit dhe aftësimit profesional të qytetarëve dhe përmirësuar kushtet e punësimit, do të zbusim fuqinë e faktorëve shtytës për emigracion, përmirësojmë arsimimin e qytetarëve dhe rrisim rezultatet e tregut të punës." tha Ministrja Hajdari.
Ndër të tjera, Ministrja Hajdari dha mesazhin se lëvizja e lirë e qytetarëve do të zhbllokojë potencialin e vërtetë dhe të plotë të bizneseve përmes investimeve, tregtisë dhe bashkëpunimit të përbashkët. Liberalizimi i vizave është një mundësi kyçe për diasporën, banorët dhe bizneset e huaja që të punojnë së bashku duke kontribuar në produktivitet më të madh ekonomik, rritje të shpejtë të përgjithshme dhe modernizimin e Republikës së Kosovës përmes Integrimit Euro-Atlantik.
Krejt ne fund, Ministrja Hajdari tha se Republika e Kosovës, pas vetëm 14 vitesh pavarësi, bazuar ne evidencën me tregues, është duke ecur mirë dhe është gjithmonë e hapur për aleanca strategjike si partnere e barabartë dhe për bashkëpunim në fusha të përfitimit reciprok.Republika e Kosovës ka disa avantazhe krahasuese në Ballkanin Perëndimor, andaj ajo i inkurajoi panelistët që të diskutojnë në vazhdim, në fusha specifike drejt një plani konkret veprimi. Ky plan veprim do të jetë, për qeverinë e Republikës së Kosovës, një marrje e nevojshme dhe e rëndësishme nga kjo Konferencë e Nivelit të Lartë të OECD.







