Tema kryesore e konferencës ishte Shpalosja e Potencialit të Rajonit të Ballkanit Përendimor, e cila u trajtua nga perspektiva të ndryshme me pjesëmarrje të gjerë të personaliteteve dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Ministrja Hajdari trajtoi temën “Katalizimi i Rritjes Ekonomike përmes Inovacionit” me ç’rast njoftoi për progresin industrial dhe inovacionin duke theksuar se rritja ekonomike e Kosovës mbështetet në kreativitetin, teknologjinë dhe qëndrueshmërinë, duke formësuar një ekonomi për të gjithë.
Për katalizimin e rritjes ekonomike nëpërmjet inovacionit në industrinë e prodhimit, që kërkon një qasje të shumë anshme, Ministrja Hajdari njoftoi për politikat dhe masat për avancimin e teknologjisë, zhvillimin e aftësive, përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjen e një mjedisi të favorshëm biznesi.
Ajo theksoi se, sektori i prodhimit ka potencial për të dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e një ekonomie inovative dhe digjitale në Kosovë dhe po ashtu, në të njëjtën kohë është konsumatori më i rëndësishëm i inputeve materiale, duke i përpunuar ato në mallra përfundimtare.
Për të arritur këtë, ajo njoftoi për Politikën Industriale 2030, e miratuar në vitin e kaluar, që i dedikohet aktivizimit të potencialit të industrive për të avancuar qëllimin për të pasur një ekonomi më dixhitale, qarkore të gjelbër dhe konkurruese.
Duke njoftuar për masat dhe veprimet kryesore të Politikës Industriale 2030, ajo tha se kjo politikë synon të rrisë përqindjen e inputeve vendore në prodhim, të përmirësojë inovacionin e produktit drejt prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar, si dhe të forcojë lidhjet me ofruesit e shërbimeve vendore të lidhura me industrinë.
Ministrja Hajdari theksoi edhe rëndësinë e krijimit të Fondit të Inovacionit, si dhe njohjen e prodhuesve për t'u angazhuar në dixhitalizim dhe inovacion duke përfshirë mbështetjen e platformave bashkëpunuese për inovacionin e produkteve që përfshijnë bizneset, akademinë dhe sektorin publik.
Ajo konkludoi se me zbatimin e masave kryesore në kuadër të politikave industriale dhe për inovacion e ndërmarrësi, si dhe masave në kuadër të planit të veprimit të tregut të përbashkët rajonal dhe planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë të koordinuar, rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të shpalos potencialin e plotë të industrive prodhuese e shërbyese, duke nxitur rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si rritjen e integrimit ekonomik më të shpejtë me Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian.





