Ministrja Hajdari mori pjesë në sesionin informues “Partneritetet e qëndrueshmërisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme që adoptojnë praktika më të qëndrueshme”

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve, diskutuan për zhvillimin e kapaciteteve ekonomike dhe përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë, në konferencën e organizuar nga MINT në bashkëpunim me projektin e BE-së për Asistencë Teknike “Përkrahja e Kosovës me programet e BE-së”.

Ministrja Hajdari tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në nëntor 2021, ka filluar negociatat për anëtarësim në Programin e Tregut të Përbashkët dhe me këtë progres kompanitë kosovare tani kanë mundësi të përfitojnë nga shpalljet e hapura që stimulojnë zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.

“Programi për Tregun e Përbashkët është vazhdimësi e programit paraprak COSME, i cili ofron mundësi mbështetje për institucionet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe organizatat e bizneseve në Kosovë. Me anë të lehtësimit të qasjes në fonde ka për qëllim të mbështesë konkurrueshmërinë e NVM-ve, t’ju ofrojë qasje në financa dhe në tregje rajonale dhe ndërkombëtare, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, theksoi Ministrja Hajdari.

Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari ritheksoi se MINT në mënyrë të vazhdueshme është duke punuar që Kosovën ta bëjë vend ideal për të bërë biznes dhe se ka fokus kryesor zhvillimin e potencialit të prodhimtarisë vendore, duke u siguruar në konkurrencë të drejtë dhe të barabartë në treg.

Në diskutim me të pranishmit në punëtorinë për asistencën teknike të programeve të Bashkimit Evropian, Ministrja Hajdari deklaroi: “Qëllimi jone është që të inkurajojmë sa më shumë kompani që të përgatiten të aplikojnë dhe të përfitojnë nga programi në fjalë, për të krijuar një mjedis të favorshëm për konkurrueshmëri dhe për të rritur eksportin, për më shumë vende të reja të punës dhe më shumë të ardhura kombëtare në interes të rritjes së mirëqënies së gjithë qytetarëve tanë.”

Post ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors