Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, bashkë me importuesit e miellit në Kosovë folën për mundësitë e bashkëpunimit për furnizim të mjaftueshëm me miell dhe grurë, si dhe mbajtjen e stabilitetit të çmimit.
Ministrja Hajdari u zotua se do të punojë që bashkërisht do të mundohen t’i heqin barrierat për importuesit në mënyrë që të evitohet kriza.
Importuesit e miellit kanë mirëpritur vendimin e Ministrisë së Financave për heqjen e TVSH-së dhe garantuan se pas heqjes së këtyre barrierave do të ketë furnizim me miell gjatë ditëve të ardhshme dhe çmimi do të jetë i njëjtë.
Importuesit e njoftuan ministren se me mbështetjen e ministrisë do të ketë furnizim të mjaftueshëm me miell dhe nuk do të ketë rritje të çmimit.
Ministrja Hajdari pas takimit me importuesit mori vendim për korrigjimin e vendimit 01 të datës 19 tetor 2017 për masën ndaj importit të miellit (shih foton e bashkangjitur).
Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Irfan Lipovica, i njoftoi importuesit për kumtesën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për krijimin e korridoreve të gjelbra që mundësojnë qarkullimin e lirë të mallrave të domosdoshme, duke përfshirë grurin dhe miellin.
Nga ky takim, importuesit e miellit morën përkrahje edhe nga zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, i cili tha se është e rëndësishme menaxhimi i krizës dhe njëkohësisht të vlerësojmë se çfarë efekti do të ketë kjo krizë tek prodhuesit.

