Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me këshilltaren e lartë, znj. Leman Hatashi, dje ka pritur ambasadorin e Italisë, z. Nicola Orlando, i shoqëruar nga znj.Antonella Tomasin, shefe e departamentit ekonomik.
Ambasadori italian Orlando e falënderoi dhe e uroi ministren Hajdari për mandatin e ri dhe shprehi gatishmërinë e tij për vazhdim të bashkëpunimit me ministren Hajdari, me theks të veçantë në sektorin e industrisë dhe bashkëpunimit të kompanive Italiane me kompanitë kosovare. Si praktikë e mirë u përmend edhe bashkëpunimi gati 20 vjeçar me kompaninë Gacaferri në Pejë.
Ministrja Rozeta Hajdari e njoftoi ambasadorin mbi prioritetet e ministrisë, duke nënvizuar zhvillimin e politikave të industrisë, promovimin e investimeve dhe të exportit, përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, sfidat që ka sektori privat dhe nevoja për përkrahje të bizneseve fillestare, të vogla dhe të mesme, ndryshimi dhe plotësimi i ligjeve që mbulojnë çështjet e e industrisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit, si dhe tregtisë.
Ambasadori shprehi interesimin për bashkëpunim edhe në investime strategjike, ku plotësim kyç do të ishte ndërmarrësia dhe inovacioni, me fokus në dixhitalizim të NVM-ve.
Për të rritur bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Italisë dhe bashkëpunimin dhe shfrytëzimin e potencialit të rinisë në Kosovë, ambasadori i Italisë në Kosovë e informoi ministren Hajdari për lansimin e një seminari hibrid të kompanive italiane dhe kosovare si dhe ngjarjen B2B të organizuar nga anëtarët e Rrjetit të ”Enterprise Europe Network /EEN”, që mbështetet nga Agjencia e Tregtisë Kosovaro-Italiane. Ky seminar do të ketë në fokus dixhitalizimin dhe komunikimin për ndërmarrjet fillestare. Ngjarja do të ndodhë në qershor të 2021-tës, kështu që ambasadori e ftoi ministren Hajdari që të jetë pjesë e kësaj ngjarje virtuale si përfaqësuese, folëse nga Kosova.
Të dy palët u dakorduan që të vazhdojnë takimet më të shpeshta dhe konkretizim të projekteve të ardhshme dhe bashkëpunim konkret per zhvillim të industrisë dhe ndërmarrësisë.