Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, priti në takim Ambasadorin e Malajzisë, z.Dato Abdul Malik Melvin Castelino, me të cilin biseduan rreth marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorë të ndryshëm ekonomik.
Në këtë takim, Ministrja Hajdari i uroi mirëseardhje Ambasadorit Castelino në Republikën e Kosovës dhe e njoftoi për proceset nën udhëheqjen e ministrisë, duke nënvizuar progresin në fushat kryesore të industrisë, investimeve, tregtisë, inovacionit, ndërmarrësisë dhe turizmit. Gjithashtu, Ministrja Hajdari përmendi progresin e arritur të Republikës së Kosovës në treguesit global për transparencë dhe demokraci, të treguesve të rritjes ekonomike në Kosovë, si dhe për përparësitë konkurruese për të investuar në Republikën e Kosovës.
Ministrja Hajdari dhe Ambasadori Castelino çmuan marrëdhëniet e mira në mes dy shteteve dhe konfirmuan gatishmërinë për të iniciuar një seminar virtual të biznesit, me qëllim për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në mes bizneseve në sektorë të ndryshëm te industrisë.
