Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, e shoqëruar nga Drejtorja e Departamentit të Industrisë në MINT, znj. Valbona Dushi dhe U.D Kryeshefi i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), z. Zef Dedaj, pritën në takim Drejtorin për Zhvillim Ekonomik të USAID në Kosovë, z. Alexander Albertine, të shoqëruar nga kolegë të USAID dhe të projekteve zbatuese – Aktiviteti ‘’Compete‘’ dhe Aktiviteti ‘’Promovimi i Investimeve dhe Qasjes në Financa’’, me financim nga USAID.
Ky takim u zhvillua me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në mes MINT dhe USAID, për mbështetjen e mëtutjeshme të sektorit privat dhe shpalosjen e potencialit të tij si shtytës kryesor i zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor në vendin tonë.
Në këtë drejtim, Ministrja Hajdari i njoftoi përfaqësuesit e USAID për Strategjinë e Zhvillimit Industrial 2030 (Politikën Industriale) dhe Instrumentet mbështetëse të Bizneseve, përmes së cilave synohet mbështetja dhe zhvillimi i mëtejmë i sektorit industrial prodhues, me synim që deri në vitin 2030, industria prodhuese vendore të integrohet në zinxhirin global të vlerës.
Tutje, Ministrja Hajdari shpalosi ligjet e hartuara nga MINT, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të sektorit privat në Kosovë, duke përmendur Ligjin për Investime të Qëndrueshme, Ligjin për Parqet Industriale dhe Teknologjike, si dhe Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Gjersa projektet e USAID mbështesin objektivat e angazhimit të MINT për mbështetjen e bizneseve në Kosovë, palët u pajtuan që ky bashkëpunim të forcohet me modele te bashkëpunimit në qëllime të njëjtë dhe duke inkorporuar praktikat më të mira ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, z. Alexander Albertine dhe përfaqësuesit tjerë të USAID, e njoftuan ministren Hajdari me objektivat dhe punën e projekti të ri të USAID-it: “Promovimi i Investimeve dhe Qasjes në Financa”, me instrumente të reja në sektorin privat, të cilat do të kontribuojnë në zhvillim të ekosistemit dhe transformim më të shpejtë ekonomik. Të njëjtit, shprehën gatishmërinë e tyre për të ofruar mbështetjen e plotë në zbatimin e politikave dhe prioriteteve të Ministrisë për zhvillimin e sektorit privat, me bazë në parimet e transparencës, llogaridhënies dhe barazisë.
Në fund, ministrja Hajdari, i falënderoi përfaqësuesit e USAID me mirënjohje për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Partnerëve tjerë ndërkombëtar.


