Ministrja Hajdari raportoi për zbatimin e Ligjit për Tregti me Jashtë në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka raportuar edhe për zbatimin e Ligjit për Tregti me Jashtë.

Ministrja Hajdari, gjatë raportimit të saj para anëtarëve të këtij Komisionit, i njoftoi ata në detaje për progresin në zbatimin e neneve dhe dispozitave të Ligjit për Tregti me Jashtë. Ajo njëherit i njoftoi anëtarët e Komisionit për hartimin e Politikës Tregtare si dokument strategjik i cili parasheh vizionin dhe objektivat e politikës tregtare të Republikës së Kosovës.

Në synim të rritjes së eksportit dhe përmirësimit të bilancit tregtar, Ministrja Hajdari theksoi masat e ndërmarra në kuadër të Ligjit për Tregti me Jashtë dhe masave tjera të zbatuara gjatë dy viteve të fundit për mbështetjen ndaj bizneseve për standardizim dhe certifikim të produkteve dhe rritjen e eksporteve; si dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për përfshirjen e Republikës së Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”, me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, nga i cili program bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë.

Ajo njoftoi edhe për masat tjera të reja rregullatore, tarifore dhe të prokurimit, në kuadër të Strategjisë së parë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve 2030, për të lehtësuar zhvillimin dhe shkëmbimet tregtare të sektorit të prodhimit të Kosovës, si dhe për fuqizimin e mbrojtjes së Pronësisë Industriale me infrastrukturën e re ligjore në përputhje me standardet dhe praktikat më të fundit të vendeve të Bashkimit Evropian (BE).

Ndër të tjera, Ministrja Hajdari, njoftoi edhe për nisjen e Negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra) me synim zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me rëndësi të veçantë për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare në mes palëve, si dhe për nënshkrimin e katër protokolleve për bashkëpunim ekonomik me: Austrinë, Hungarinë, Çekinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Si rezultat, kemi arritur përmirësimin e bilancit tregtar në 6:1 nga raporti 9:1 sa ishte më parë.

 

 

Post ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors