Qëllimi i vizitës ishte mbështetja për bizneset në komunën e Gjakovës, përmes instrumenteve të ndryshme mbështetëse për prodhuesit vendor, me qëllim të shpalosjes së potencialit të industrisë prodhuese dhe përpunuese dhe zhvillimin e përgjithshëm social, ekonomik dhe mjedisor në komunën e Gjakovës.
Në këtë qëllim, Ministrja Hajdari dhe Kryetari Gjini biseduan për rëndësinë e themelimit të Parkut Industrial në komunën e Gjakovës, sipas Ligjit të ri për Parqet Industriale dhe Parqet Teknologjikë në Republikën e Kosovës.
Një Park Industrial në komunën e Gjakovës, që pritet të themelohet dhe ndërtohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ( MINT) në hapësirën tokësore në pronësi të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të nxisë investimet, promovimin e teknologjive të avancuara, aktiviteteve të prodhimit dhe përpunimit, inovacionit dhe shërbimeve me vlerë të shtuar, rritjen e punësimit dhe trajnimit, lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe rritjen e konkurrencës dhe eksporteve.
Kryetari Gjini e falënderoi Ministren Hajdari për iniciativën për themelimin e Parkut Industrial në komunën e Gjakovës dhe ndërtimin e infrastrukturës fizike të këtij parku, përmes investimeve kapitale nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.



