Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, e shoqëruar nga Shefi i Kabinetit të MINT, z. Kushtrim Dakaj dhe Ushtruesi i detyrës i Drejtorit të Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), z. Zef Dedaj, vizituan Parkun Industrial në Zonën Ekonomike të Qylagës në Lipjan, në kuadër të Javës Botërore të Ndërmarrësisë, ngjarje kjo e cila po shënohet edhe në vendin tonë.
Ky park industrial po mbështetet financiarisht nga MINT me 600 mijë euro shtesë, ku pas përfundimit të punimeve, do të kthehet në zonë të specializuar, miqësore për mjedisin, tërheqëse si për bizneset vendore po ashtu edhe për ato ndërkombëtare.
Atje, Ministrja Hajdari u pritë nga Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi dhe Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, z. Valon Pacolli, të cilët e informuan Ministren Hajdari lidhur me mbarëvajtjen e punimeve që po realizohen në atë zonë. Sipas tyre, punimet kanë arritur në fazën e investimeve që përfshijnë përfundimin e infrastrukturës fizike, siç është funksionalizimi i kanalizimit fekal, rrjetit të energjisë elektrike, ujësjellësit dhe rrethojat e parkut, pas realizimit të së cilave ajo zonë do të bëhet tërësisht funksionale për bizneset.
Ndërkaq, Ministrja Hajdari, tha se rritja e vazhdueshme e numrit të bizneseve dhe zgjerimi i mëtejmë i parqeve industriale dhe parqeve teknologjike anekënd vendit, janë një tregues pozitiv i zhvillimit socio-ekonomik në vend. Tutje, ajo shtoi se mbështetja institucionale përmes investimeve në parqe industriale dhe teknologjike ka për qëllim zhvillimin e ekosistemit në sektor të ndryshëm industrial dhe transformimin më të shpejt të industrisë tonë për t’u integruar në tregun global.
Parku Industrial në Zonën Ekonomike në Qylagë të Lipjanit është themeluar dhe certifikuar nga MINT përmes KIESA dhe shtrihet në sipërfaqe prej 54 hektarë. Pas përfundimit të punimeve, në 10 ha të kësaj zone pritet të vendosen dhjetëra biznese për të vazhduar me operimet e tyre ditore.




