Ministrja Hykmete Bajrami mbajti konferencë për gazetarë për themelimin e Fondit për Garantim të Kredive

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mbajti një konferencë për media, me ç’rast shpalosi detaje të Koncept Dokumentit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, të miratuar në mbledhjen e sotme të Kabinetit qeveritar.

Ministrja Bajrami bëri të ditur se  Koncept-dokumenti për themelimin e Fondit për Garantim të Kredive, që është një nga shtyllat e Fondit Zhvillimor dhe që është edhe në Programin e Qeverisë tashmë është miratuar edhe nga Kabineti qeveritar.

“Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është një fond i cili kapitalin fillestar e merr nga donatorët, është mbështetje e donatorëve. Fillimisht kemi USAID-in, KFW-n dhe SECO-n, të cilët janë zotuar që të derdhin në këtë fond rreth 20 milionë dollarë apo 18 milionë euro. Ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë fillimisht do të kemi të zotuara 1 milionë euro. Kjo shumë nuk do të jetë e kufizuar por me mobilizimin e fondeve tjera, ky fond do të rritet”, theksoi ministrja Bajrami.

Ajo më tej shtoi se qëllimi kryesor i këtij fondi është që ta adresojë një nga barrierat kryesore të biznesit që është qasja në financa. Për shkak të rrezikut të madh të perceptuar, bankat kanë procedura të mëdha administrative, kanë kolateral të madh në shuma financiare të cilat kërkojnë dhe kanë interesa të mëdha, të cilat janë pothuajse të papërballueshme për ndërmarrjet mikro, të mesme dhe të vogla.

Më tej, ministrja Hykmete Bajrami potencoi: “Fondi fillimisht do të mbuloj 50 për qind të kolateralit, i cili në mënyrë automatike do ta zbresë 50 për qind të rrezikut për bankat. Ne besojmë që institucionet bankare dhe jobankare si dhe ato mikrofinanciare, do të reflektojnë në uljen e këtij rreziku prej 50 për qind dhe do të parashohin uljen e normave të interesit. Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të jetë një institucion i pavarur, autonom, i cili do të funksionoj në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë e plotë në bazë të ligjit për qeverisje koorporative, kontabilitetin, auditimin dhe raportimin sikurse që është pak analog me fondin për sigurimin e depozitave.”, tha Bajrami

Ajo, po ashtu bëri të ditur se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është iniciuese dhe sponsorizuese e Projektligjit për Themelimin e Fondit për Garantimin e Kredive dhe se Ministria është duke punuar në këtë projektligj dhe shumë shpejt do e kalojë edhe  Ligji për diskutim publik në institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, tek institucionet financiare, bankare, jobankare dhe ato mikrofinanciare dhe te shoqëria civile.

Ky fond, prej rreth 20 milionë eurosh me kapital fillestar, llogaritet që diku në gjashtë vitet e para do ta rrisë mundësinë për kredi të reja në rreth 360 milionë euro dhe pritet që nga këto 360 milionë euro hua të reja mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja të punës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors