Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti sot një delegacion të afaristëve nga Italia, të cilët po e vizitojnë Kosovën me qëllim që të njihen me mundësitë e investimeve në vendin tonë. Delegacioni italian shoqërohej nga kryetari i Odës Ekonomike Italo – Kosovare, z. Hamdi Muhameti.
Ministrja Bajrami fillimisht u shprehu mirëseardhje afaristëve nga Italia, dhe i informoi ata me punën që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës për të lehtësuar procesin e investimeve në vend. Ajo përmendi reformat fiskale dhe pakon legjislative e cila e bën Kosovën vend tejet konkurrues për investitorët. Ministrja foli edhe për avantazhet tjera të cilat ofron vendi ynë për investitorët, si: kostoja e lirë e punës, qasja e lehtë e Kosovës në tregjet e huaja dhe lehtësi të tjera.
Afaristët italianë, të cilët vinin nga industria e përpunimit të mermerit dhe granitit, theksuan se janë të interesuar që të ndërtojnë komunikim të mirë me institucionet dhe me afaristët nga Kosova dhe u shprehën optimistë se do të zgjerojnë aktivitetin e tyre investues në Kosovë.
Ministrja Bajrami u tha afaristëve italianë se Qeveria e Kosovës do të jetë gjithmonë derë e hapur për të gjitha kompanitë që dëshirojnë të investojnë në vendin tonë. Ajo theksoi se MTI do të punojë maksimalisht me secilin investitorë dhe do t’i asistojë ata në të gjitha etapat e procesit të tyre investiv.